Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhanë kontributin kryesor në shifrën rekord të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 291 milionë eurove, në rritje me 52% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 21% të vlerës së përgjithshme të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar. Tremujori i fundit i vitit solli edhe vlerën më të lartë të investimeve të huaja në këtë sektor, me 66 milionë euro, 32% më shumë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2021.
Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, veçanërissht në periudhën pas pandemisë, duke se është mbështetur në masë të konsiderueshme nga kërkesa që vjen prej investitorëve të jashtëm.
Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, megjithë rritjen e çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera të Rajonit, si Mali i Zi apo Kroacia.
Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse investimi. Kjo e ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona jo për nevoja banimi apo shfrytëzimi familjar, por për qëllime investimi.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2022 stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 1.12 miliardë euro, në rritje me 44% krahasuar me një vit më parë. Në shtatë vitet e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është dhjetëfishuar.
Sektori i dytë për nga pesha specifike kundrejt totalit të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar ishte industria nxjerrëse. Ky sektor solli investime në vlerën e 268 milionë eurove ose 19.5% të totalit.
Investimet në këtë sektor u rritën me 8.5% krahasuar me një vit më parë dhe në pjesën më të madhe, vlerësohet se këto janë fitime të riinvestuara të investitorëve të huaj ekzistues, kryesisht Bankers Petroelum.
Rritja e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë vit duket se ka nxitur edhe shtimin e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri.
Rritje edhe më të lartë shënuan investimet në sektorin energjetik, që për vitin e kaluar arritën në 175 milionë euro, në rritje me 187% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Energjetika udhëhoqi rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vite me radhë, kryesisht falë investimit madhor në gazsjellësin TAP, por edhe projekteve të tjera të rëndësishme të investimeve të huaja, sidomos në energjinë hidrike.
Stoku i investimeve të huaja në energjetikë ka kaluar tashmë vlerën e 3 miliardë eurove. Rritja e çmimeve të energjisë kanë rritur interesin rreth energjive të rinovueshme dhe sidomos, në vitet e fundit, rreth energjisë nga burimet diellore.
Sektori financiar vazhdon të ketë një peshë të konsiderueshme në thithjen e investimeve të huaja, me 158 milionë euro për vitin 2022. Investimet në këtë sektor u rritën me 4% dhe përbënin gjithsej 11.5% të flukseve vjetore të investimeve të huaja direkte.
Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, për shkak se rritja e bankave tregtare kërkon shtim gradual të kapitalit aksioner, për të qëndruar në përputhje me kërkesat rregullatore.
Një tjetër sektor ku këtë vit po shënohet rritje e ndjeshme e investimeve të huaja direkte është industria përpunuese. Për vitin e kaluar, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 146 milionë euro, në rritje me 49% krahasuar me një vit më parë. Deri tani, investimet e huaja në industrinë përpunuese kanë qenë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë, përfshirë degën e industrisë automotive.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën një shifër rekord prej 1.37 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik. Vlera e investimeve të huaja u rrit me 33% krahasuar me një vit më parë. /RevistaMonitor