Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që u shënua në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne ku mbeti i vrarë roja e objektit të televizionit kombëtar Top Channel, i identifikuar si Pal Kola.
Begaj me anë të një postimi në rrjetet sociale i shpreh ngushëllime familjës Kola, teksa u bën thirrje organeve ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.
“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola.
Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Ngjarja ka ndodhur për motive ende të paqarta, ndërsa forcat e policisë dhe ekspetët e kriminalistikës janë në vendngjarje dhe po marrin provat e nevojshme që mund të ndihmojnë hetimin. Ndërkohë një makinë tip Range Rover është gjetur e djegur në afërsi të Kavajës, e cila dyshohet se iu përket autorëve, pasi dhe targat e makinës mësohet se janë të vjedhura.