Një analizë e thelluar e deklaratave të pasurisë tregojnë se më shumë se gjysma e kryetarëve të bashkive në Shqipëri kanë mospërputhje financiare dhe nuk mund të justifikojnë pasurinë e tyre, këto të dhëna vinë të siguruara nga “BIRN”
Më 30 qershor, qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive të vendit. Kandidatët që do të zgjidhen për herë të parë, njësoj si ata që do të marrin një tjetër mandat, janë të detyruar që të dorëzojnë çdo vit deklaratat e tyre të pasurisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.
Prej vitit 2015, ILDKPKI ka referuar në Prokurori tre kryetarë bashkish me akuzën e deklarimit të rremë të pasurisë-çështje të cilat janë pushuar me argumentin e mungesës së provave.
Një analizë e të gjitha deklaratave të pasurisë që 61 kryebashkiakët aktualë kanë dorëzuar deri në fund të vitit 2017 zbulon se 54 për qind e tyre nuk mund të justifikojnë rritjen e pasurisë së tyre për të paktën 1 vit të karrierës. Në total, shuma e pajustifikuar nga burimet e deklaruara kap vlerën e 201 milionë lekëve [1.6 milionë euro].
Deklaratat e pasurisë së kryebashkiakëve aktualë u analizuan me ndihmën e tre ekspertëve financiarë, të cilët i kategorizuan dhe i hodhën në një databazë të dhënat e siguruara nga deklaratat e pasurisë. Informacioni u analizua duke përdorur metodën e kontrollit aritmetik-logjik; një prej formave të përdorura nga ILDKPKI gjatë verifikimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.
Kontrolli aritmetik-logjik krahason të dhënat financiare familjare si dhe informacione të tjera me deklarimet e mëparshme, për të “identifikuar të dhëna mbi të ardhura ilegale të fshehura” në transaksionet e kryera nga politikanët, sipas manualit të Këshillit të Europës për analizimin e të ardhurave dhe aseteve të zyrtarëve publikë.
Me fjalë të tjera, ky kontroll shpjegon nëse paratë që politikani deklaron se ka përfituar përputhen me asetet dhe paratë e shpenzuara prej tij.
Mospërputhjet mes të ardhurave në hyrje dhe shpenzimeve të kryera nuk janë domosdoshmërisht të paligjshme. Megjithatë, këto mospërputhje ngrejnë “flamuj të kuq”, që normalisht kërkojnë verifikime të thelluara nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.
Pasuri të pajustifikuara
Në vitin 2014, Shqipëria iu nënshtrua një reforme të thellë administrativo-territoriale, duke reduktuar numrin e njësive vendore nga 384 në 61. Reforma fshiu ndarjet mes komunave dhe bashkive dhe përcaktoi konsolidimin e pushtetit në njësi më të mëdha administrative, me qëllimin e shfrytëzimit më të mirë të burimeve financiare si dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
Sipas raportit vjetor të ILDKPKI, 4746 zyrtarë publikë deklarojnë periodikisht pasurinë dhe interesat e tyre private. Deklarimi i pasurisë përfshin pasurinë e zyrtarëve dhe ato të anëtarëve të familjes, burimin e pasurisë si dhe detyrimet financiare. Kryetarët e bashkive zënë vetëm 1.3 për qind të numrit të përgjithshëm të zyrtarëve publikë.
Duke u fokusuar te deklarimet e kryebashkiakëve lokalë, BIRN administroi nga ILDKPKI përmes kërkesave për të drejtë informimi 509 deklarata pasurie. Duke përjashtuar vitin e parë të deklarimit prej secilit prej tyre, 436 deklarata iu nënshtruan metodës së kontrollit aritmetik-logjik.
Analiza e të dhënave të siguruara përmes metodës së kontrollit aritmetik-logjik tregon se 60 nga 436 deklaratat e plotësuara nga kryetarët e bashkive përgjatë viteve 2003-2017 dështuan të kalojnë testin. Deklaratat me probleme zënë 13.8 për qind të totalit të analizuar.
Nga 61 kryebashkiakët e verifikuar, vetëm 28 rezultuan pa probleme me pasurinë e deklaruar, ndërkohë që 33 kryetarë bashkish apo 54 për qind e totalit kishin të paktën në 1 vit të karrierës së tyre diferenca negative mes të ardhurave të deklaruara nga njëra anë dhe aseteve apo shpenzimeve në anën tjetër.
Mes 33 kryebashkiakëve që dështuan në kontrollin aritmetik-logjik, 22 rezultojnë me diferenca të pambuluara vetëm për një vit të karrierës së tyre. 11 kryebashkiakët e tjerë shfaqen me diferenca negative nga 2 deri në 6 vite të deklarimit të pasurisë.
Vlera totale e pajustifikuar me burime të ligjshme nga 33 kryetarët e bashkive vlerësohet në 1.6 milionë euro, ose 10% e pasurisë totale të deklaruar nga 61 kryetarët aktualë.
Analiza e deklaratave të pasurisë tregon gjithashtu se asnjë prej kryetarëve të bashkive nuk ka deklaruar shpenzime jetese përgjatë viteve 2003-2017. Nëse deklarimeve të tyre financiare do t’u shtoheshin edhe kostot e minimumit jetik për familje, numri i deklaratave me probleme do të rritej nga 60 në 139, ose 32 për qind e deklaratave totale.
Kjo do të thotë se nga 61 kryebashkiakët në detyrë, 57 do të kishin të paktën në një vit të karrierës së tyre pasuri të pajustifikuar përmes burimeve të deklaruara. Kostot e minimumit jetik të përdorura nga BIRN në këtë analizë bazohen në statistikat e kostove familjare, të publikuara çdo vit nga Instituti i Statistikave, INSTAT.