Ditën e sotme, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka vendosur pikat mbi “i” në lidhje me situatën e kryetarit të Partisë Demokratike dhe përfaqësimin në zgjedhjet e 14 Majit.
Celibashi theksoi se sipas perceptimit të tij, Sali Berisha është kryetar i PD-së, por të drejtën për të kërkuar regjistrimin e saj në zgjedhjet e 14 majit e ka Lulzim Basha.
Ai ka vënë në dispozicion 48 orë kohë grupit të Bashës për të plotësuar dokumentacionet për regjistrimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit.
Ndërkohë, nga ana tjetër nënvizoi se dokumentacioni i paraqitur nga grupi i Bashës është i paplotë. Kështu, Celibashi vuri në dispozicion 48 orë kohë për grupin e Bashës që të plotësonte dokumentacionin.
“Vlerësoj se dokumentacioni i ardhur nga Basha nuk është i plotë dhe në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Është e qartë edhe për ju Indrit që dokumentacioni autorizues duhet të jetë në përputhje me Kodin Zgjedhor. Sipas vlerësimit tim në përputhje me këtë parashikim të Kodit, akti autorizues duhet të jetë i qartë. Kush e lëshon autorizimin dhe përmbajtja që duhet të kryejë i autorizuari të jenë të qarta. Basha ka të drejtën të autorizojë këdo që ai çmon për të paraqitur kërkesa në llogari të PD-së, përfshi edhe kërkesën për regjistrim. Nuk kemi diskutime dhe paqartësi edhe në lidhje me personin që autorizohet. Keni 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara për deklaratën e kryetarit të partisë politike”, deklaroi Celibashi.