Të rinjtë po ikin, popullsia po bie, numri i bareve po ulet, por sërish në pjesën më të madhe ato janë pothuajse plot gjatë gjithë ditës, duke na bërë një nga shtetet që shpenzojmë më shumë kohë (dhe para) në kafene.
Pavarësisht se biznesi i bar- kafeve nuk është më si më parë, sërish Shqipëria vijon të jetë një nga shtetet me numrin më të lartë të bar-kafeneve në raport me popullsinë.
Të dhënat e Eurostat, që përkojnë me ato të INSTAT, bënë të ditur se në vitin 2020 në Shqipëri kishte 15,577 subjekte që ushtronin aktivitet në “Shërbimin e pijeve dhe ushqimeve”.
Në raport me popullsinë, vendi ka 547 bar-restorante për 100 mijë banorë.
Sipas të dhënave të Eurostat për numrin e subjekteve në aktivitetin e “shërbimit të ushqimeve dhe pijeve” dhe popullsitë përkatëse, të përpunuara nga Monitor, Portugalia është e para në Europë për numrin e lartë të bareve e restoranteve në raport me popullsinë.
Në Portugali ka gjithsej rreth 74 mijë bare për një popullsi prej 10.3 milionë banorësh, ose 718 bare për 100 mijë banorë.
E dyta është Greqia, që e ka këtë tregues 709.
Në Shqipëri ka më shumë bare e restorante dhe në krahasim me vende që janë destinacione të njohura turistike, si Spanja (535), apo Italia (451).
Listën e vijojnë Çekia (450), Qipro (428), Kroacia (425). Në raport me mesataren e Bashkimit Europian (332), në Shqipëri ka gati dy herë më shumë bare e restorante. (shiko grafikun: Numri i bizneseve në aktivitetin e pijeve dhe ushqimeve, në raport me popullsinë).
Në Gjermani e vendet nordike duhet të “lodheni” pak për të gjetur një bar, apo restorant, pasi ka më pak se 200 të tilla për 100 mijë banorë.
Rajoni mban “rekordin” nga fundi
Nëse shkoni në vendet e tjera të rajonit ka shumë pak shanse që të gjeni kaq shumë bare sa në Shqipëri, sidomos në Serbi. Në Serbi ka vetëm 2764 bare, sipas Eurostat, ose vetëm 40 subjekte të tilla për 100 mijë banorë, më e ulëta në Europë. Në Maqedoninë e Veriut treguesi është 199.5, në Bosnjë 207, ndërsa mungojnë të dhënat për Malin e Zi dhe Kosovën.
Shpenzojmë 400 milionë euro në vit
Të dhëna të tjera të INSTAT bënë të ditura më herët se qarkullimi vjetor i bareve dhe restoranteve në 2021 në vend ishte 47.2 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro, që konsumatorët vendas apo dhe turistët e huaj kanë shpenzuar për të konsumuar në bare e restorante.
Në krahasim me 2020-n, të ardhurat e këtij aktiviteti u rritën me 17%, por ato mbetën 9% më të ulëta sesa para pandemisë. Të dhënat tregojnë se deri në vitin 2019 shpenzimet në bare e restorante ishin rritur me shpejtësi, duke kulmuar në 52 miliardë lekë (430 milionë euro) në 2019-n.
Jo vetëm shpenzimet e qytetarëve për bare e restorante janë ulur. Biznesi i bareve nuk duket më aq tërheqës.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i ndërmarrjeve që veprojnë në akomodimin ushqimor është ulur vazhdimisht që nga viti 2016, kur arriti në gati 19 mijë. Në atë periudhë, Shqipëria renditej ndër të parat në Europë për numrin e lartë të bareve, në raport me popullsinë./RevistaMonitor