Këtë të martë ka psur një rritje të temperaturave dhe pakësimit të reshjeve të shiut dhe dëborës. Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së shkaktuar si pasojë e mitit të keq. Ministria raporton se java do të jetë me alternime vranësirash dhe kthjellimesh. Ndërsa në disa akse do të ketë prani ngricash.
Sipas parashikim të motit nga Instituti Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik ushtarak ditët në vazhdim do të jenë me kthjellime dhe alternime vranësirash në të gjithë vendin.
Ditën e sotme do të ketë reshje bore me intensitet të ulet në qarkun e Korçës, ditët në vijim do të ketë edhe në qarqet Kukës dhe Dibër.
Si pasojë e temperaturave në vlera negative do të kemi ngrica përgjatë akseve rrugore në relievet malore të vendit.
Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile situata ditën e sotme paraqitet e qetë.
Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.
Kuotat e lumit Drin në pikëmatjen në Lezhë është në nivelin 0,6 m nga 2 m që është niveli kritik. Në Shkodër në hidrometrin Ura e Bahçallëkut shënon kuotën 6,10 m nga 7,5 m niveli kritik. Niveli i liqenit në hidrometrin Ura e Bunës shënon kuotën 8,55 m nga 8,7 m niveli kritik. Niveli i lumit Vjosa në pikëmatjen Ura e Mifolit është 5,9 m nga 8 m që është niveli kritik. Hidroforët vijojnë funksionalitetin me kapacitet të plotë.
Sasia e prurjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme është 500 m3/s. Në basenin ujëmbledhës Koman janë 250 m3/s dhe Vau i Dejës 40 m3/s. Shkarkimet do të vijojnë me 300 m3/s. Shkarkimet në Digën Ura e Fanit janë 39 m3/s. Në hidrocentralin Ulëz dhe Shkopet shkarkimet janë 220 m3/s.
Furnizimi me energji elektrike vijon pa ndërprerje në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të shkeputjeve herë pas here në disa zona rurale të qarqeve, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, KorCcë dhe Shkodër.
Strukturat e OSHEE janë duke punuar në terren pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike në kohë.
Në qarkun e Shkodrës sipërfaqja e përmbytur mbetet 1400 ha përkatësisht në njësinë administrative Ana e Malit 1300 ha dhe njësinë administrative Dajç 100 ha. Banesa me prezencë uji në oborre janë 15 në fshatin Obot, bashkia Shkodër. Në qarkun e Lezhës vijon të ulet shifra e sipërfaqes së përmbytur në 230 ha, ku 200 ha janë në bashkinë Lezhë dhe 30 ha në bashkinë Kurbin.
Infrastruktura rrugore vijon të jetë e qarkullueshme pa probleme në të gjitha rrugët nacionale dhe turistike.
Në bashkinë Shkodër: Rruga e Obotit vijon me prezencë uji me një nivel 75 cm, për të cilën Forcat e Armatosura po mundësojnë transportin. Rruga Shirq-Darragjat ka prezencë uji në rrugë me një nivel 10 cm, është e kalueshme. Në bashkinë Vau Dejës ka problematika në disa nga rrugët rurale, për të cilat janë duke punuar strukturat vendore. Në qarkun Elbasan, janë pastruar akset rrugore Librazhd – Prrenjas dhe Gramsh – Moglicë, ku gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur rënie inertesh. Në qarkun e Vlorës në rrugën Vajzë – Ploç, e cila ka të dëmtuar bazamentin e saj po punohet nga firma kontraktore për riparimin e saj. Në qarkun e Korçës është bërë e mundur hapja e segmentit rrugor Shtyllë – Panarit. Në aksin Bogë – Theth është funksional segmenti Bogë – Qafë Thorë.
Ka vijuar puna nga ARRSH për pastrimin nga ortekët në segmentin tunelet panoramike. Në qarkun e Dibrës në disa segmente trashësia e dëborës varion nga 10-15 cm. Rruga e Dardhës në km e 7 trashësia e dëborës varion nga 5-10 cm. Rruga e Voskopojës km 13 trashësia e dëborës varion nga 3 cm – 5 cm.
Vazhdon pa ndërprerje bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë institucioneve dhe strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin. Deri me tani janë angazhuar në nivel qendror 68 forca ushtarake me 7 mjete te kalueshmërisë së lartë.
Ministria Mbrojtjes dhe Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile, do të vijojnë të jenë në gatishmëri dhe do të aktivizojnë kapacitetet në nivel kombëtar për të mbështetur të gjitha kërkesat e pushtetit vendor me qellim përballimin e situatave që mund te krijohen si pasojë e kushteve të motit.
U bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të lëvizet me goma dimërore dhe zinxhirë sipas rekomandimeve si dhe të njoftojnë strukturat vendore dhe operacionale në çdo rast nevoje.