Pasditen e sotme më në fund, ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Vuçiq u takua me ta mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Gjatë natës, disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur. Sipas Policisë së Kosovës, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar.
Këta kamionë ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.
Për 20 ditë rresht rrugët kryesore në veri mbetën të bllokuara për qarkullim. Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër ishte vendosur në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë, në Merdare.
Serbët lokalë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Institucionet e Kosovës thanë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Serbia vendosi në gatishmëri ushtrinë, si dhe rriti prezencën ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan vazhdimisht largimin e barrikadave, si dhe respektimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua muajve të fundit për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targat ilegale me akronimin KM si dhe akronime tjera PR, GL, PE etj., të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Vendimi u kundërshtua nga serbët lokalë, si dhe nga Beogradi zyrtar. Megjithatë, Qeveria e Kosovës ishte e vendosur për zbatimin e këtij vendimi me gjithë faktin se komuniteti ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, kërkonte më shumë kohë.
Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për riregjistrim të veturave me targa ilegale, institucionet e Kosovës, suspenduan nga puna drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Pas suspendimit të drejtorit Gjuriq, Lista Serbe, subjekti më i madh politik i Serbëve në Kosovë njoftoi largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, deri në rikthimin e tij në punë si dhe sic tha kryetari i saj, Goran Rakiq, deri në respektimin e të gjitha marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës, përfshirë formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në javët që pasuan dorëheqje dhanë zyrtarët serb të Policisë së Kosovës, të sistemit të drejtësisë, ata të nivelit lokal dhe atij qendror.
Derisa komuniteti ndërkombëtarë ka kërkuar rikthimin e serbëve nëpër institucione, zyrtarë të qeverisë përfshi kryeministrin Albin Kurti kanë thënë se kthimi i tyre nuk mund të jetë çështje politike, duke shtuar se është çështje ligjore e kushtetuese, shkruan REL.