Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditene sotme në Lezhë.
Një tjetër drejtor në qytetin e Lezhës është dhunuar fizikisht ditën e sotme. Gjatë pasdites, drejtori i Postës së Lezhës, Pjerin Çuku është dhunuar fizikisht nga disa persona të panjohur në lagjen Gurr të qytetit të Lezhës.
Raportimet e para tregojnë se Çuku ka marrë disa goditje dhe më pas është nisur për në urgjencën e spitalit të Lezhës.
“Sot, më datë 26.12.2022, rreth orës 16:35, në lagjen “Gurra”, Lezhë, dy persona janë konfliktuar me grushte me shtetasin P. Ç., 42 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë drejtor i Postës Shqiptare, dega Lezhë dhe më pas janë larguar me vrap. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Rikujtojmë se vetëm pak kohë më parë është dhunuar drejtori i OSHEE, Edmir Përndreca. Autorët e sulmit ndaj tij u ndaluan dhe u arrestuan nga policia. Përndreca javën e kaluar deklaroi se sulmi ndaj tij ishte për shkak të detyrës.
43-vjeçari po lëvizte me makinën e OSHEE, teksa u godit nga pas qëllimisht nga një automjet tjetër pasi ishte ndjekur. Pas goditjes, 2 shoferët si dhe 2 pasagjerët e automjetit tjetër janë konfliktuar, të cilët e kanë dhunuar fizikisht Drejtorin e OSHEE-së, duke i shkaktuar fraktura në kokë, krah dhe këmbë.