Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, ku ish-kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano ka përplasur me makinë një 17-vjeçar.
17-vjeçari Eljo H., nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra pas përplasjes së ndodhur dje në Llogara. Vlen të përmendim se adoleshenti ka qenë duke kaluar rrugën dhe po shkonte drejt stacionit të autobusit nga fusha e futbollit.
Në këtë kohë është goditur me makinë nga ish-kryebashkiaku Vasil Bollano. Sipas dëshmitarëve, goditja ka qenë tepër e fortë dhe i riu është dërguar menjëherë në spital.
Në dëshminë e tij të parë, Vasil Bollano ka deklaruar se i riu është hedhur përpara makinës, por duket se ky version nuk i ka bindur ekspertët e policisë të cilët kanë kryer analizën e ngjarjes dhe shoqëruan Bollanon në komisariat.
Bëhet e ditur se ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano është arrestuar nga efektivët e policisë.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 66 vjeç, banues në Himarë.
Ky shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor Orikum-Llogara, në afërsi të fushës së sportit, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, banues në Dukat, i cili lëvizte në këmbë.
Si pasojë e dëmtimeve të marra 17-vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.