Prokurori Edvin Kondili, si edhe 2 kolegët e tij kandidatë për kreun e SPAK ka prezantuar programin e tij në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Ai deklaroi se arsyet pse është bërë pjesë e garës janë goditja e fenomenit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe rikthimi i besimit të qytetarëve tek drejtësia.
“Nëse do të më jepet mundësia për të qenë drejtues angazhimi im do të jetë maksimal në mënyrë që të kthehet besimi te drejtësia”, tha Kondili.
Ai tregoi se gjatë 15 viteve si prokuror pranë krimeve të rënda, nuk pasur role drejtuese por këtë siç tha e sheh si pikë të fortë, duke e ditur si zgjidheshin në atë kohë drejtuesit.
“Gjatë 15 viteve si prokuror pranë Krimeve të Rënda, për asnjë moment nuk kam pasur rol drejtuesi, gjë që më ka penalizuar para KLP kur kam garuar për herë të parë. Personalisht vazhdoj të shpreh mendimin tim që mosqenia drejtues gjatë asaj periudhe e konsideroj pikë të fortë, duke pasur parasysh mënyrës së përgjithshme si promovoheshin shumica e drejtuesve në një sistem të centralizuar drejtësie që bëhej drejtpërdrejtë nga prokurori i përgjithshëm”, tha Kondili.
Kujtojmë se sot do të zgjidhet se kush do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme dhe do të zëvendësojë Arben Kraja i cili ka përfunduar mandatin e tij 3 vjeçar. Në garë janë Edvin Kondili, Altin Dumani dhe Adnan Xholi.