Të dhëna sensitive të shtetasve shqiptarë janë publikuar sërish nga hakerat iranianë të “Homeland Justice”. Këtë herë hakerat kanë publikuar informacione në lidhje me punonjësit e Ministrisë së Brendshme. Sipas dokumentave të postuara në grupin e Telegram janë informacione si certifikatat e sigurisë dhe dëshmitë të penalitetit për punonjësit e Ministrisë së Brendshme.
Kjo nuk është hera e parë që të dhëna sensitive dalin në publik pas dy sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë. Që prej vitit 2021, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti, që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.
Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet
Vlen të theksojmë që teksa taksapaguesit shqiptarë paguajnë për sistemin e sigurisë, ku pretendohet që AKSHI të mbajë përgjegjësi, ndodh e kundërta.
Të dhënat tona janë vjedhur para disa muajsh dhe tashmë po dalin “sheshit” çdo ditë e më shumë. Nga ana tjetër kryeministri Rama mburret se Shqipëria mban vendin e tetë në Europë për ofrimin e shërbimeve online.
Ndërkohë si për paradoks para disa javësh u publikuan nga hakerat iranianë vetë të dhënat mbi hyrjet dhe daljet e kryeministrit Edi Rama nga vendi.
Para disa ditësh hakerat iranianë kanë zbardhur të gjitha hyrjet dhe daljet e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka udhëtuar vetëm përmes aeroportit të Rinasit. Disa javë më parë “Homeland Justice” nxori të dhënat e ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo dhe bashkëshortes së tij. Ata kanë publikuar edhe hyrje-daljet e saj nga Shqipëria. Në dokumente shihet sa herë gruaja e ish-kreut të SHISH e ka kaluar kufirin shqiptar, nga cila pikë kufitare ka dalë dhe me çfarë mjeti ka udhëtuar.