Ditën e sotme kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore është takuar me ish-presidentin kroat, Stipe Mesiç.
Ky i fundit e ka cilësuar atentat sulmin ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha dy ditë më parë në protestën e opozitës.
Pas takimit me Berishën, Mesiç theksoi se u befasua dhe u shqetësua shumë nga ky sulm ndërsa kryedemokratin e cilëson “babai i demokracisë në Shqipëri dhe më gjerë”.
“Isha mysafir në Shqipëri, gjatë ditëve që isha këtu dëgjova për sulmin që u bë këtu dhe më shqetësoi shumë.
U befasova për shkak se Berisha është babai i demokracisë në Shqipëri dhe më gjerë. Nuk kam shumë të dhëna për momentin dhe s’dua të deklarohem për momentin, por ky është atentat ndaj Berishës. Ai i duhet gjithë shqiptarëve në Shqipërisë e më gjerë, i duhet rajonit e komunitetit Evropian. I dëshiroj nga zemra shumë shëndet dhe të ngelet në politikë edhe më tutje, të punojë për demokracinë”, deklaroi ish-presidenti.
Si ndodhi ngjarja:
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi gjatë protestës së të martës kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t;ju bashkuar protestës.
31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur duke iu shpëtuar vëmendjes së truprojave. Më pas Shehu u godit dhe u dhunua nga protestues dhe mbështetës të Berishës.
31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe ndërkohë po merr mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Në lidhje me ngjarjen e rëndë Berisha u shpreh se gjithçka është e organizuar nga Edi Rama.