Qeveria mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri në Porto Romano, ku do të zhvendoset aktiviteti i atij aktual në Durrës, ka zgjedhur modelin C2.
Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det.
Një studim i lidhur me projektin dhe ndikimet mjedisore të zbatimit të tij hartuar nga Royal HaskoningDHV, Abkons e një sërë kompanish të tjera nënvizon se Porti i integruar i Durrësit – Porto Romano do të zbatojë këtë model pasi kostot janë më të ulëta sesa rasti i zhvillimit në det të hapur.
Por sesa janë këto kosto, studimi nuk ka të dhëna duke qenë se merret thjesht me efektet mjedisore. Sipërfaqja totale e portit të ri llogaritet në 300 hektarë.
Ku parashikohet të ndërtohet Porti
“Sipërfaqja aktuale ku parashikohet të zhvillohet projekti i Portit të Durrësit në Porto Romano, konsiston kryesisht në toka bujqësore të përfituara nga bonifikimi i ish-kënetës së Durrësit. Kullimi i ujërave sipërfaqësore garantohet nga një sistem kanalesh kulluese të hapura, të cilët konvergojnë në pikën me kuotën më të ulët të zonës, aty ku aktualisht ndodhet stacioni i pompimit të Hidrovorit. Në pjesën perëndimore të bregdetit, zhvillohen aktivitete sezonale që lidhen me turizmin si plazhe private, bare dhe restorante.
Në pjesën veriore janë instaluar depozitat e shoqërisë së hidrokarbureve Royal Trade sh.a, ndërsa në jug zona kufizohet nga dy hapësirat koncesionare të porteve private, Romano Port sh.a dhe MBM sh.a. Në kufijtë e zonës së zhvillimit, nga ana lindore, ndodhet fshati Rinia. Në një distancë prej rreth 2-3km më në jug ndodhet zona e parashikuar për realizimin e parkut fotovoltaik të Spitallës. Pranë portit të ri, në verilindje dhe jugperëndim të fshatit Rinia, janë parashikuar ndërtime rezidenciale. Gjithashtu pranë portit ndodhet dhe Parku Olimpik/Parku Ekologjik”, thuhet në dokument.
Pse zhvillimi i portit do të bëhet në breg
Përmbledhja e raportit jo-teknik nënvizon se një model C2 i planimetrisë është zgjedhur për disa arsye:
- Një port i brendshëm është opsioni më pak i kushtueshëm i zhvillimit;
- Kostoja e ndërtimit të dallgëthyeseve në ujërat e thella në det është e konsiderueshme (për një dallgëthyese me burime nga rrënojat, kostoja rritet afërsisht me dyfishin e thellësisë së ujit);
- Kostoja e bonifikimit në det për të formuar tokën për zhvillimin e portit është gjithashtu e konsiderueshme;
- Megjithëse vëllimi i dragazhit të kërkuar për të siguruar akses lundrues do të jetë më i madh për zhvillimin e portit në brendësi, një pjesë e këtij dragazhi do të jetë me rërë, e cila mund të përdoret në mënyrë të dobishme për të mbushur zonat tokësore të ulëta për zhvillimin e portit;
- Aktualisht parashikohet që materiali i gërmuar nga basenet e brendshme do të jetë rërë e imët baltore, e cila mund të përdoret për të formuar platformën e re portuale me mbushje hidraulike të zonave të ulëta të tokës. Kjo do të ulë koston bonifikimit me mbushje dhe nevojën për asgjësimin e materialit të gërmuar në zonat e derdhjes në det
Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore
Përmbledhja e bërë nga kompanitë për llogari të Autoritetit Portual Durrës ndalet tek lidhja infrastrukturore që do të ketë porti i ri duke analizuar qoftë atë rrugore edhe atë hekurudhore.
“Autostrada SH49(Fllakë) ndodhet rreth 4.4 km në lindje të zonës së projektit dhe lidhet drejtpërdrejt me autostradën SH2 Durrës-Tiranë dhe prej andej me autostradën SH4 (Lushnjë-Fier) nëpërmjet SH2.
“Autostrada SH4 139 km e gjatë është një korridor i rëndësishëm transporti veri-jug në Shqipëri që lidh Durrësin me Greqinë dhe është një pjesë thelbësore e autostradës së Adriatik-Jonit dhe e Korridorit VIII Pan-Evropian. Ajo përbëhet nga dy korsi trafiku me një korsi emergjence në çdo kah drejtimi. Gjithashtu në prill 2020, qeveria shqiptare shpalli tenderin për ndërtimin e 2.1 km rrugë që lidhin qytetin e Durrësit me terminalin e naftës në Porto Romano.
Ndërtimi i rrugës së kategorisë B me dy karrexhata lidh rrugën kryesore ndërurbane SH85 nga K/Rr. nr.2 (Shkozet) me Porto Romanon. Gjithashtu në shtator 2020 ka filluar ndërtimi i një rruge që lidh Porto Romanon me rrugën urbane dytësore SH51”, thuhet në studim.
I njëjti nënvizon se sa i takon rrjetit hekurudhor në programet e MIE është planifikuar lidhja e zonës së Porto Romano me rrjetin hekurudhor kombëtar me një linjë hekurudhore të gjatë 8 km, por kjo është ende në fazën paraprake të përgatitjes së projektit.
Planet e ndërtimit dhe zgjerimit të portit deri në 2030
Referuar dokumentit infrastruktura portuale konsiderohet të jetë e kushtueshme dhe financimi dhe ndërtimi do të ndahen në faza. Faza e parë e ndërtimit të Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano parashikon ndërtimin e objekteve të mëposhtme:
- Terminali i kontejnerëve duke përfshirë lidhjen me infrasatrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe zgjidhjen e furnizimit me ujë. Është planifikuar që një koncesion 35-vjeçar që mbulon prokurimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e terminalit të kontejnerëve t’i jepet një operatori ndërkombëtar për terminalet.
- Ndërtimi i një objekti detar, fushëveprimi i të cilit është ende për t’u përcaktuar
- Krijimi dhe ndërtimi i Infrastrukturës dhe objekteve të përbashkëta portuale duke përfshirë
Vendbregëzimet e shërbimeve detare dhe Ndërtesat e përbashkëta portuale si Ndërtesa e administratës portuale, Ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile (stacioni zjarrfikës, qendra e emergjencës), zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj
Sa i përket afateve kohore supozimet janë si më poshtë:
- Deri në fillim të vitit 2026 do të përfundojnë dhe do të vihen në punë Vendbregëzimet e përgjithshme të ngarkesave. (Pjesë e këtij studimi)
- Terminali i kontejnerëve do të përfundojë dhe do të vihet në funksion deri në fillim të vitit 2026.
- Lidhja hekurudhore me portin e ri do të përfundojnë deri në fillim të vitit 2030.
- Deri në vitin 2060 mund të jenë të nevojshëm tre Vendbregëzime, pasi mund të konstatohet që dy Vendbregëzime nuk do të jenë të mjaftueshme për të përballuar fluksin e parashikuar deri në vitin 2055.
Zhvendosja e Portit të Durrësit
Teksa në zonën aktuale të Portit të Durrësit pritet të zhvillohet projekti i Marinës së Jahteve, që do e kthejë atë në një zonë rezidenciale dhe port jahtesh, Porti i Durrësit do të zhvandoset gradualisht në Porto Romano.
Zhvendosja e portit të Durrësit në Porto Romano do të jetë graduale, pasi edhe zhvillimi i projektit në portin ekzistues do të jetë i tillë.
Ekspertët kanë pohuar se zhvendosja e Portit të Durrësit në çdo skenar do të ishte e nevojshme, pasi porti aktual ka nevojë për përmirësime rrënjësore që lidhen me rritjen e volumeve të përpunimit, por edhe me sigurinë portuale, nevojën për më shumë autonomi dhe hapësirë për forcat detare dhe nevojën për ndërlidhje më të mirë me logjistikën rrugore dhe hekurudhore./RevistaMonitor