Projekti për portin e Durrësit është tema qëndrore e diskutimit kohët e fundit për shkak të denoncimeve të bëra nga opozita ku tregohen kompani off shore dhe mundësia për një skemë të madhe mashtrimi si ajo e inceneratorëve. Gjatë një intervistë për Neës 24 gazetari Artan Hoxha deklaroi se 60% e aksioneve të kompanisë që do të bëjë investimin, por pronarët e saj nuk janë të ditur mund të jenë biznesmenë apo dhe faktorë të krimit të organizuar që duan të pastrojnë paratë. Kujtojmë se investimi që do të bëhet në Durrës pritet të kushtojë mbi 2 miliardë euro dhe shteti shqiptar ka dhënë shumë lehtësira për kompaninë investitore duke e cilësuar atë si një investitor strategjik.
“Ne na është thënë që në Shqipëri do të vijë Emaari, Emaari është kompania që ka ndërtuar pjesën dërrmuese të Dubait. Në fakt në Shqipëri nuk ka ardhur Emaar, por Alabbar me dy kompani të tjera, që është një nga aksionarët e Emaar, që ka krijuar dy kompani. Këto kompani janë të njërit nga aksionarët e Emaar. 40% ne e dimë që është Alabbar, 60% që është regjistruar në kompani offshore ne nuk e dimë, dhe unë dyshoj që kjo është pjesa që në Shqipëri do futen paratë e shqiptarëve që do investojnë në Emiratet e Bashkuara.
Sapo jam kthyer nga Dubai, dhe atje kam konstatuar se janë investuar të paktën 1 miliardë dollarë nga biznesmenë shqiptarë, krimi i organizuar, por mund të jenë edhe më tepër se aq. Dhe jam i sigurt se edhe kryeministri e ka këtë dijeni, e di sesa investime po bëjnë shqiptarët në Dubai, sepse nuk të kërkohet nga i ke gjetur ato para.
Parë në këtë këndvështrim jam kurioz të di si do të ecë kjo. Nëse në Kroaci reagohet dhe mund të bllokohet projekti, në Shqipëri e shoh shumë të vështirë që të ndalohet. Së pari qeveria duhet të bëjë transparencë se kush është pas, dhe më pas të dimë se çfarë duhet të bëjmë me portin e Durrësit’, u shpreh Hoxha.