Këtë të martë gjatë një konference për shtyp kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur në lidhje me projektin e Portit të Durrësit. Duke e cilësuar një mega aferë Meta u shpreh se gjithçka bëhet për apartamentet dhe jo një vepër strategjike.
“Parlamenti me nxitim dhe përmes sulmeve ndaj përfaqësues të maxhoranvës bërë ndaj deputetëve të opozitës, thellon përgjegjësitë për megaaferën e madhe siç është grabitja e portit të Durrësit, aseti më i madh i Shqipërisë. Kryeministri në flagrancë, është iniciuesi i grabitësit, sot është nën akuzë para shqiptarëve, pasi faktet flasin vetë dhe janë të rënda. Prona më e rëndësishme në pikëpamje strategjike do i jepet kompanive guackë, me pronarë të fshehur, me fonde të panjohura dhe që s’ju dihet origjina e tyre. Asnjë shqiptar se di se ku po përfundon.
Ky nuk është projekt strategjik, pasi do të ketë hotele dhe apartamente. Gjithçka është e projektuar te biznesi i apartamenteve dhe prona strategjike si porti falet për apartamentet. Do të falen qindra milionë euro taksa, falen 820 mijë metra katrorë me një vlerë edhe kjo qindra milionë euro, është parashikuar edhe fond për shpronësime të tjera dhe e gjithë kjo, do të bëhet për të ndërtuar apartamente. Përjashtimi nga taksat është një shkelje flagrante e Kushtetutës, pasi trajton në mënyrë të diferencuar bizneset e një kategorie, pra në Durrës, kompanitë e ndërtimit të zakonshme do të paguajnë 7% taksë (4% për Taksën e Ndikimit në Infrastrukturë dhe 3% Taksa e Strehimit Social), ndërsa apartamentet e Edi Ramës do të përjashtohen nga kjo taksë…Ashtu siç del e qartë nga Plani i Financimit të Projektit, është e qartë se kemi të bëjmë me një skemë të pastrimit të parave, sepse vetëm 6.8% e investimit prej 2 miliardë Euro, do të financohen përkatësisht: 3.4% nga aksionerët dhe 3.4% nga Bankat.
Pra, rreth 130 milionë euro. Ndërsa pjesa tjetër, 93.2% do të jetë me vetë-financim, pra, prit të shiten apartamentet që investimi të vazhdojë…”, tha Meta.
Ai shtoi: “Megjithëse Bashkimi Europian ka qenë i qartë dhe i prerë lidhur me pasaportat e Arta, për të cilat rrezikohet seriozisht lëvizja e qytetarëve shqiptarë në BE, marrëveshja e Edi Ramës parashikon që kush blen një apartament mund të marrë një pasaportë shqiptare, pra të lëvizë në të gjithë zonën Schengen.
Përse, Edi Rama është i gatshëm të sakrifikojë lëvizjen e lirë të Shqiptarëve? Përgjigja është e qartë, për të pastruar para…. Bashkimi Europian ka qenë i qartë dhe i prerë që ky projekt është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. A mungojnë në Europë investitorët shumë të fuqishëm dhe seriozë që mund të investonin seriozisht dhe me transparencë në Portin e Durrësit? Cili është fati, kur do ndërtohet dhe a ka burim financimi për portin e ri të mallrave që do duhet të ndërtohet e që kushton mbi 1 miliardë e gjysëm Euro? Është shumë e qartë se projekti nuk është aspak strategjik, nuk është aspak turistik, dhe nuk është aspak transformues për potencialin turisitik të qytetit, sepse është qartazi një biznes ndërtimi apartamentesh duke grabitur pronen me strategjike te Shqiperisë”.