Ndërsa Facebook zbehet, Meta shpreson për sukses në një tjetër dimension, shkruan The Economist
Është natë në Soapstone Comedy Club. Në fakt, atje gjithmonë është natë. Klubi është një hapësirë në Horizon Worlds, aplikacioni kryesor metaverse i Meta-s, ku përdoruesit mund të shikojnë shfaqje komike në realitetin virtual.
“Është e vështirë të bësh komedi stand-up kur nuk ke këmbë”, thotë një interpretues dhe më pas rrëzon mikrofonin virtual dhe largohet jashtë skene. Një mbrëmje në realitetin virtual nuk ka atmosferën e një lokali të mirëfilltë, ama përpiqet të imitojë sa më shumë jetën reale.
Ka kaluar pothuajse një vit që kur Mark Zuckerberg njoftoi se kompania e tij do të ndryshojë emrin nga Facebook në Meta, për të pasqyruar angazhimin ndaj realitetit metaverse dhe për të shpëtuar imazhin e keq publik të firmës.
Shumë nuk ishin të sigurt se çfarë do të thoshte fjala, por duke marrë parasysh vlerën prej 1.1 trilionë dollarësh të kompanisë dhe biznesin e saj të reklamave në rrjetet sociale që gumëzhiu pas bumit të pandemisë, investitorët e pritën krahëhapur eksperimentin.
Tashmë, një vit më vonë, gjërat duken ndryshe. Realiteti metaverse, tek i cili u varën kaq shumë shpresa, dhe mbi të cilin u vunë kaq shumë baste, mbetet jopopullor. Ndërkohë, ka shenja se përdoruesit dhe reklamuesit po largohen nga rrjetet sociale që sigurojnë të ardhurat e Meta-s.
Që nga riemërtimi i saj, çmimi i aksioneve të kompanisë ka rënë me 60%, duke shkatërruar më shumë se gjysmë trilion dollarë vlerë tregu (shih grafikun 1). Parashikimet për fitimet në vitin 2023, kanë rënë me rreth 50%, sipas të dhënave nga Bloomberg.
Çfarë ka shkuar keq?
Shitja e aksioneve të Meta-s filloi në shkurt, pasi kompania raportoi rënien e parë të përdoruesve të përditshëm të Facebook, rrjeti i saj kryesor dhe më i madh social. Pas 18 vitesh rritjeje të pandërprerë, ai humbi 1 milion përdorues midis tetorit dhe dhjetorit 2021 (shih grafikun 2).
Që atëherë, është rimëkëmbur, duke shtuar 39 milionë të tjerë, ndërsa përdoruesit e “familjes së aplikacioneve” të Meta-s, ku përfshihet Instagram dhe WhatsApp, kanë vazhduar të rriten.
Por, përdoruesit e rinj vijnë gjithnjë e më shumë nga vendet e varfra, dhe për këtë arsye, janë më pak të vlefshëm për reklamuesit.
Vitin e kaluar, Frances Haugen, ish-ekzekutiv i Meta-s, deklaroi se në pesë tregjet më të vlefshme të Facebook, regjistrimet e llogarive për personat nën 18 vjeç, kishin rënë me një të katërtën brenda një viti. Meta ka nxituar për të prodhuar një platformë të re me video të shkurtra, të quajtur Reels, për të ndalur humbjen e përdoruesve që zgjedhin TikTok dhe rivalë të tjerë të rinj.
Ndërkohë që përdoruesit po largohen, po ikin gjithashtu edhe reklamuesit. Në tremujorin e dytë, të ardhurat e Meta-s ranë në bazë vjetore, për herë të parë në historinë e saj (shih grafikun 3). Inflacioni, normat e interesit dhe lufta, luajtën të gjitha rol në këtë drejtim.
Por biznesi i reklamave ka ndryshuar përgjithmonë për shkak të rregullave të reja të Apple. Këto rregulla e bëjnë më të vështirë që aplikacionet e iPhone të gjurmojnë aktivitetin e përdoruesve online, gjë që e bën më të vështirë shfaqjen e reklamave të personalizuara dhe matjen e efikasitetit të tyre.
Meta ka thënë se ndryshimet e rregullave nga Apple, do t’i kushtojnë 10 miliardë dollarë të ardhura të humbura këtë vit. Kompanitë po i zhvendosin reklamat në platformat ku konsumatori është më pranë blerjes së produkteve, si Amazon, e cila u shfaq reklama klientëve bazuar në atë që sapo kanë kërkuar.
Teksa përballet me këto vështirësi në treg, Meta po ngacmohet edhe nga rregullatorët. Komisioni Federal i Tregtisë i Amerikës (FTC) po padit Facebook për abuzim me monopolin e tij në rrjetet sociale, një akuzë që duket gjithnjë e më e çuditshme, duke pasur parasysh përparimet e fundit nga TikTok dhe rivalë të tjerë.
Në korrik, FTC kundërshtoi blerjen e propozuar nga Meta të Within, krijues i aplikacioneve të fitnesit në realitet virtual. Dhe më 18 tetor, rregullatorët britanikë e urdhëruan Meta-n të anulojë blerjen e Giphy, prodhues i imazheve të animuara që kompania e kishte blerë në vitin 2020.
Meta është e pajisur më mirë se shumë nga rivalët e saj, për t’i kapërcyer këto pengesa. Reels tashmë përbën më shumë se 20% të kohës së shpenzuar në Instagram dhe po fiton më shumë para sesa funksioni Stories në Instagram, thotë kompania.
Investimet e mëdha në Inteligjencën Artificiale, po e ndihmojnë Meta-n të zhvillojë modele reklamash “probabiliste” për të zëvendësuar sinjalin që humbi me ndryshimet e Apple. Advantage+, një produkt i fundit i reklamave Meta, përdor Inteligjencën Artificiale për të ndihmuar reklamuesit të zhvillojnë reklama.
Një biznes më i ndërlikuar reklamash shërben për të zgjeruar hendekun konkurrues të Meta-s, thekson zoti Shmulik: rivalët më të vegjël si Snap, çmimi i aksioneve të të cilit ka rënë me gati 90% në 12 muajt e fundit, janë viktimat e vërteta.
Megjithatë, ekskluziviteti i reklamave të Meta-s ka të ngjarë të jetë dëmtuar përgjithmonë. Dhe kompania po përpiqet të rindërtojë biznesin e saj të reklamave pa arkitekten e mëparshme, Sheryl Sandberg, e cila u largua nga kompania muajin e kaluar.
Të gjitha këto do të mjaftonin për t’i shqetësuar investitorët. Fakti që Meta po bën njëkohësisht një bast kolosal mbi realitetin metaverse, kërcënon të vërë në provë besimin e investitorëve deri në pikën e thyerjes. Reality Labs, divizioni metaverse i kompanisë, deri tani ka pasur humbje prej 27 miliardë dollarësh. Meta ka shitur më shumë se 17 milionë kufje Quest 2 VR, kryesisht me ulje çmimi, vlerëson kompania e të dhënave IDC.
Ajo gjithashtu ka njoftuar 10,000 vende të reja pune në sektorin metaverse në Europë. Ritmi i zhvillimit të harduerit vazhdon: më 11 tetor, Meta shpalosi një kufje më të avancuar të quajtur Quest Pro dhe zoti Zuckerberg tregoi një pajisje prototip që mbahej në kyçin e dorës. Një Quest 3 dhe Quest Pro 2 janë tashmë duke u zhvilluar.
Mbetet e paqartë se kur do të ngrihet metaverse i Meta-s. Përdorimi kryesor i Quest deri tani kanë qenë lojërat. Fitnesi është një fushë në rritje e sipër, megjithëse përparimi i Meta-s në këtë drejtim, mund të ngecë nëse bllokohet blerja e Within.
Quest Pro ka në shënjestër bizneset. Këtë muaj, Meta njoftoi partneritetin me Microsoft, i cili do të ofrojë versione të realitetit virtual të aplikacioneve si Teams dhe Office. Një abonim “Quest for Business” do të jetë i disponueshëm vitin e ardhshëm.
Përdorimet sociale të realitetit virtual, për të cilat zoti Zuckerberg është më entuziast dhe ku Meta duhet të ketë avantazhin më të madh, mbeten të papëlqyera.
Në shkurt, Meta raportoi se vetëm 300,000 njerëz kishin përdorur Horizon Worlds; firma nuk ka thënë asgjë që atëherë. Më 16 tetor, Wall Street Journal raportoi se, sipas dokumenteve të brendshme të Meta-s, numri i përdoruesve të rregullt kishte rënë që nga pranvera.
Një memorandum i brendshëm zbuloi se edhe punonjësit e kompanisë, duhej të nxiteshin për ta përdorur atë (“Nëse ne nuk e duam, si mund të presim që ta duan përdoruesit tanë?”).
Zoti Zuckerberg nuk është i vetmi që sheh potencial në realitetin virtual. Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, Apple pritet të prezantojë kufjet me realitet virtual, kurse Sony, syzet më të fundit për lojërat PlayStation.
Nëse kufjet bëhen kompjuterët e rinj, siç ka parashikuar zoti Zuckerberg, Meta do të gëzojë avantazh të konsiderueshëm në lëvizjen e parë. Quest 2 përbënte 88% të shitjeve globale të kufjeve të realitetit virtual në gjysmën e parë të këtij viti, llogarit firma IDC.
Quest Pro është grupi më i avancuar i syzeve të realitetit virtual në botë. Meta ka shumë nga talentet më të mira në fushën e realitetit virtual, thotë Jitesh Ubrani nga firma IDC. Nëse Meta mund të kontrollojë dhe të taksojë një platformë të suksesshme të realitetit virtual, teksa Apple dhe Google kontrollojnë sistemet e tyre operative celulare, ajo do të zotërojë një minierë ari.
Pasiguria qëndron te koha. Struktura e pazakontë e Meta-s i jep Zuckerberg kontroll të plotë. Bordi i firmës u tregua i paefektshëm në trajtimin e skandaleve të Facebook mbi privatësinë dhe keqinformimin. Tani, në vend që të tregojë maturi, firma ka lejuar një shef ekzekutiv me të meta, që të luajë bixhoz me miliarda, në fushën metaverse.
Në maj, Zuckerberg pranoi: “Nëse njerëzit investojnë në kompaninë tonë, ne duam të jemi fitimprurës për ta… Por unë gjithashtu ndiej përgjegjësi për ta bërë këtë… Meta është një kompani e kontrolluar nga unë, kështu që mund të marr më shumë vendime se sa shefat e kompanive të tjera”.
Sjellja antisociale
Megjithatë, sa më shumë që lëkundet biznesi kryesor i Meta-s, aq më pak investitorë do të jenë të gatshëm të rrezikojnë për planet metaverse të Zuckerberg. Një kompani mund të shpenzojë kaq shumë për një ide të re, vetëm nëse dikush është i përgatitur ta financojë atë.
Këto shpenzime mund të jenë të pranueshme nëse “përfitueshmëria thelbësore nga biznesi juaj kryesor, është në baza të qëndrueshme”, thotë zoti Shmulik. Kjo është vështirësia e Meta-s. “Bërthama nuk është në një bazë të qëndrueshme për momentin”.
Për të qetësuar investitorët, Meta po i frenon paksa shpenzimet. Ajo pret që shpenzimet totale këtë vit të jenë rreth 7.5 miliardë dollarë më pak nga sa parashikohej në fund të vitit 2021. Ajo ka anuluar disa projekte, duke përfshirë një orë inteligjente që ishte në zhvillim e sipër, dhe ka rritur çmimin e Quest 2 me 100 dollarë. Dhe pritet të ulë numrin e punonjësve.
Drejtuesit e Meta-s e krahasojnë gjendjen e vështirë të kompanisë me dhjetë vjet më parë, kur ajo po menaxhonte kalimin e rrjetit të vet social në celular. Zhvendosja e një miliard përdoruesve të Facebook nga ekrani i kompjuterit në celularin smartphone, ishte një detyrë e vështirë, që u ndërlikua edhe më tepër nga fakti se Zuckerberg e spikati me vonesë rëndësinë e celularit.
Kjo përvojë mund të ketë ndikuar në qasjen e tij ndaj realitetit metaverse. Teknologjia e re e realitetit virtual të Meta-s, tha Zuckerberg më 11 tetor, mbështetej në idenë “më mirë herët se sa vonë”. Teksa investitorët bëhen të paduruar, rreziku është se këtë herë, Meta mund ta ketë bërë lëvizjen shumë shpejt. /RevistaMonitor