Ilir Meta ka pezantuar planin ekonomik të Partisë së Lirisë gjatë konventës së parë të saj.
Ai theksoi se modeli ekonomik do të fokusohet në përdorimin me efektivitet të fondeve publike, duke synuar të rrisë mirëqenien e qytetarëve të të gjitha shtresave.
“Modeli ynë ekonomik nuk do të lejojë kurrë marrjen e borxheve për investime fasadë të cilat kanë ulur produktivitetin e borxhit.
Rilindja në periudhën 2013-2021 ka marrë mbi 3 miliardë Euro borxh dhe qytetarët nuk kanë parë asgjë, asnjë investim apo shërbim të përmirësuar apo të ri ndaj tyre, përveçse borxhit që rëndon mbi familjet shqiptare sot dhe për gjenerata me radhë. (për çdo 100 lekë të marrë borxh, vlera e ekonomisë është shtuar vetëm 84 lekë, në nivel më të ulët se niveli i borxhit.)
Ndërsa në vitet 2000-2005, për çdo 100 lekë të marrë borxh, vlera e ekonomisë është shtuar 193 lekë.
Rënia pikiatë e produktivitetit të borxhit është treguesi më i mirë se rritja e borxhit i ka shërbyer vetëm Ramës dhe Rilindjes për të ekzekutuar vjedhje marramëndëse, me projekte publike të fryra disa fish.
Por rritja e borxhit nuk i ka shërbyer qytetarëve, sepse nuk i ka shërbyer prodhimit, hapjes së vendeve të reja të punës dhe mirëqenies së tyre”, tha Meta.
Sipas tij, kosto e borxhit është dyfishuar dhe këtë e paguajnë qytetarët e Shqipërisë.
“Ndërkohë, raporti i borxhit publik kundrejt eksporteve të mallrave në vitin e kaluar ishte 12.8 për Shqipërinë dhe 1.1 për Maqedoninë, 1.3 për Bosnjen dhe 1.7 për Serbinë.
Pra nëse Maqedonia e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, ne e shlyejmë me 13 vite eksporte. Ky është produktiviteti dhe konkurrueshmëria e ekonomisë nën drejtimin e Rilindjes me fqinjët.
Një ekonomi jo konkurruese nuk prodhon as të ardhme, as punë, as siguri.
Prandaj shumë investitorë tanët dhe të huaj në Shqipëri, ikin në Maqedoni, apo vende të tjera.
Dhjetë vjet më parë borxhi publik për frymë ka qenë 2890 dollarë, ndërsa sot në vitin e 10 të Qeverisë Rama, është mbi 4500 Dollarë”, tha ai.
Meta theksoi se modeli ekonomik i Partisë së Lirisë vendos në qendër qytetarin si përfitues të rritjes ekonomike, të përfitimit nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, të përfitimit nga investimet publike dhe nga të ardhurat e taksave që ata vetë paguajnë.
“Rritja e punësimit dhe e mirëqenies, dhe ulja e kostos së jetesës do të jetë në qendër të politikës ekonomike dhe përgjigja më e fortë ndaj varfërisë.
Ne do të çmontojmë modelin mafioz Rilindas të ekonomisë, bazuar në paranë e pisët, trafiqet, informalitetin dhe korrupsionin.
Ne do të çmontojmë modelin që e mbyti Shqipërinë me miliarda Euro borxh, të cilat i shërbyen korrupsionit dhe asnjëherë qytetarit.
Modeli ynë ekonomik mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, si e vetmja mënyrë për thithjen e investimeve te huaja, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë, tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë, tek zgjerimi dhe konsolidimi i shtresës së mesme të shoqërisë, si garante e një zhvillimi të qëndrueshëm, por edhe vetë mbrojtjes së demokracisë”, tha Meta.
Ai thekoi se për të arritur këto objektiva, modeli ynë ekonomik do të synojë mbledhjen e të ardhurave publike në nivelet me vendet e rajonit.
“Ndërsa Shqipëria mbledh 27% të PBB, Bosnja ka mbledhur 42.3% të PBB, 42.8% të PBB ka mbledhur Malii i Zi, dhe 43.3% të PBB Serbia.
27% e PBB së Shqipërisë = 3.7 Miliardë Euro.
15% po të ishte rritja, që të kapej niveli I Serbisë, do të ishte 5.9 Miliardë Euro.
Mbi 2 miliarde Euro çdo vit do të fitonte Shqipëria dhe shqiptarët, nga administrimi i ndershëm dhe i përgjegjshëm, me profesionistë të ekonomisë”, u shpreh Meta.