Ditën e sotme Nisma Thurje ka dorëzuar në kuvend projekt-ligjin për plazhet publike, bashkënngjitur me një peticion të firmosur nga 10 mijë qytetarë të cilët kërkojnë lirimin e hapësirave të zaptuara nga biznese të ndryshme.
Ndërkohë që kryetari i partisë, Endri Shabani tha se sot, pas depozitimit të këtij projekt-ligji, deputetët kishin mundësi të provonin nëse qëndronin në krah të qytetarëve apo të një grupi biznesmenësh për interesat e të cilëve nga 2008 e deri më tani kishin kaluar plot 50 ligje me porosi.
“Këtu janë emrat dhe të dhënat e 10 mijë qytetarëve që kanë propozuar këtë projekt-ligj, zërin e të cilëve e kemi sjellë këtu. Ky kuvend që nga 2008 ka kaluar të paktën 50 ligje me porosi. Ne sot po bëjmë të kundërtën, po sjellim zërin e 10 mijë shqiptarëve të bërë bashkë që kërkojnë të drejtën e tyre.
Sot nga Saranda deri në Shkodër, plazhet e Shqipërisë, kanë trarë siç po u tregoj edhe në këto foto në veri dhe jug të vendit. Sot shqiptari nuk e gëzon dot tokën e vetë, jo sepse është ngritur një tra nga osmanët apo fashistët por nga një grup i vogël biznesmenësh të cilët janë pasuruar dhe kanë ndërtuar sarajet e tyre.
Sot shqiptari nuk ka nevojë për vizë për lëvizjen në Europë, por nuk lëviz dot brenda tokës së vetë. Sot shqiptari është i nëpërkëmbur në shtëpinë e vetë. Sot ky kuvend ka mundësi t’i japë fund zaptimit të tokës publike të shqiptarëve. Deputetët kanë shansin historik për të treguar nëse janë aty për të mbrojtur interesin e shqiptarëve apo të një grupi të vogël biznesmenësh. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me ata që u kanë zaptuar pronat, me një kuvend indiferent ndaj halleve të tyre dhe nga politikanët që prej 30 vitesh qeverisin këtë vend”, deklaroi Shabani.