Me nisjen e ditës së parë të shkollës këtë të hënë Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur në lidhje me Kongresin për arsimin. Duke bërë thirrje për të bashkuar mendjet përtej kufijve të Shqipërisë Rama tha se Gjuha shqipe duhet mbrojtur në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ.
Edi Rama: Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapje të Kongresit të dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull nga Kongresi i Manastirit një gur themeli që u fokusua te gjuha dhe më pas te arsimi, ne mblidhemi këtu në një Kongres që natyrisht është shumë modest për nga pesha se sa kongresi i manastirit por që në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar. Mësimi i shqipes dhe arsimimi i popullit shqiptar ishte për delegatët e kongresit të Manasitrit mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumë kush mund të pyesë, por nga se do ta mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigjja është e thjeshtë, mjafton të harxhojë secili për të lundruar në gjithë kanalet e informacionet që të shikojë se çfarë ndodh me gjuhën shqipe, çfarë ndodh me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi. Teksa brezi më i ri përfshihet me shpejtësi në rrugën e komunikimit përmes tel celularë, përmes kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuar dhe nga ana tjetër kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, por të gjitha gjuhëve që janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe mundësia për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj se na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh, rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë. Ashtu sikundër nga ana tjetër na takon të shohim me shqetësim se domosdoshmëria për të rritur standardet e arsimimit dhe për t’i njehsuar këto standarde me kornizën e standardeve më të mira bashkëkohore është një urgjencë e madhe, pasi po njësoj dhe gjithë procesi i mësimdhënies dhe mësimmarrjes është nën presionin në rritjen e vazhdueshme të transformimeve teknologjike. Libri bëhet përherë e më i huaj dhe rrugët e komunikimit bëhen kaotike dhe të pakontrollueshmne.
Ajo që është pak por është shumë e sigurt është se sot ne kemi nevojë më shumë se asnjëherë më parë për të bashkuar mendjet tona përtej kufijve të Shqipërisë, në të gjithë hapësirat ku jetohet dhe flitet shqip.