Ditën e sotme raportohet që është vendosur të lehtësohen akuzat ndaj ish-policit të Dibrës Arbër Sula i cili akuzohej për ngjarjen në dhjetor të vitit të kaluar ku 29-vjeçari Jurgen (Duka) Mezini u vra në një supermarket në rrugën “Irfan Tomini” pas një sherri për radhën e blerjes, ku u raportua që autor i kësaj ngjarje të ishte pikërisht efektivi i policisë Arbër Sula.
Në atë periudhë ish-polici u akuzua për “vrasje me dashje” por tani që prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen penale akuza ndaj tij ka ndryshuar. Tani ish-efektivi Arbër Sula akuzohet “për vrasje në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Por sot kanë reaguar familjarët e viktimës të cilët thonë se në këtë mënyrë i afërmi i tyre po vritet për së dyti nga institucionet e drejtësisë, pasi autori brenda pak muajsh fiton lirinë.
Amarilda Mezini, kushërirë e 29-vjeçarit të vrarë, duke folur për mediat tha se shumë detaje të ngjarjes janë manipuluar, pasi sipas saj krimi ka ndodhur në syrin e kamerave të sigurisë dhe një polic që është i trajnuar për të garantuar jetën e qytetarëve, nuk mund t’i merrte jetën të afërmit të saj.
Jurgeni ishte vëllai im. Jemi shumë të shqetësuar. Sepse është ndryshuar akuza. Nuk është më vrasje me dashje. Por e kanë transformuar në një akuzë që jemi habitur, në ‘vrasje në gjendje të rëndë psikologjike’ të autorit. Është një vrasje me dashje nga një polic shteti me armën e shtetit, që është trajnuar të mbrojë të rinjtë jo që të vrasë.
Gjithashtu Mezini thotë se kërkojnë drejtësi dhe nuk do të ndalen derisa autori të marrë dënimin e merituar. Sipas saj, në mënyrën sesi institucionet po veprojnë po nxisin gjakmarrjen.
Duke pasur drejtësi në jemi më të qetë. Ne nuk do ndalojmë deri në gjykatat e larta, që të ketë drejtësi. Unë këtë gjë e bëj, sepse dua të ndaloj gjëra të tjera. Duke mos pasur drejtësi, ndodhin gjëra të rëndë. Njerëzit bëjnë drejtësi vetë. Këtë dua të ndaloj.