Shqiptarët vazhdojnë të jenë në qëndër të mediave të huaja për “bëmat e tyre” në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Drejtoria e Antidrogës në Peru ka arrestuar katër persona, mes tyre një shqiptar, i identifikuar si Kadri Gjoci, 28 vjeç.
Anëtarët e grupit akuzohen se kanë drejtuar transportin e një ngarkese prej 2.3 ton kokainë nga Peruja në shtetet në evropiane. Në prangat e policisë, së bashku me Kadri Gjocin kanë rënë edhe biznesmeni italian Pasquale Bifulco 49 vjeç.
Gjithashtu me ta u arrestuan peruani Luis Alberto Narbasya Huayanay 57 vjeç të cilit iu sekuestruan 5 kilogramë 300 gram kokainë, dy automjete dhe pajisje komunikimi ; si dhe Elmer Cárdenas Ramírez 56 vjeç, të cilit iu konfiskuan një armë gjahu, një pistoletë dhe një revole, raporton “La Republica”.
Operacioni u quajt “Poseidon” sepse është vazhdimi i atij të kryer në Máncora, më 29 gusht, ku u arrestuan Alex Soria Trujillo, Edëin Pariona Oroncoy, Manuel Garcia Sifuentes, Fredy Reyna Mori dhe Marco Macedo Ushiñahua, me 448 kilogramë hidroklorur kokaine, njoftoi Policia. Burimet e Dirandro (Policia Peruane) treguan se hetimet janë kryer në koordinim me DEA-n amerikane, Policinë Federale të Hetimit Kriminal-BKA të Gjermanisë; dhe Policia italiane e financave.
Theksojmë se ngarkesat e drogës u nisën nga Alto Huallaga për në Lima dhe Tumbes në mënyrë që të transportoheshin me det nga porti i Callao në Evropë nën modalitetin “eksporti nga kompania në kompani”. Nëse do të dilte në tregun e zi në Evropë, ajo do vlente mbi 45 milionë dollarë. Kokaina u kap më 27 korrik. Kështu, pasi mësuan se organizata kriminale dërgonte një ngarkesë të konsiderueshme droge drejt Italisë dhe Hamburgut (Gjermani), ata vazhduan me çmontimin e këtij rrjeti që drejtohej në vend nga italiani Pasquale Bifulco. Autoritetet po hetojnë nëse ky rrjet ka lidhje me mafian shqiptare që në muajin qershor tentoi të dërgonte në Holandë 2200 kilogramë kokainë të lëngshme në kavanozë me asparagus.