Ditën e sotme Enkelejd Alibeaj ka propozuar 4 prioritetet e PD në lidhje me sesionin e ri parlamentar që startoi këtë të hënë. Reformën Antikorrupsion; Kërkesa për në Gjykatën Kushtetuese për bordin e naftës; Paketa ekonomike-energjitike dhe lista e 4 aferave janë prioritetet sipas Alibeajt.
Gjatë konferencës ai u shpreh dhe në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm me pjesën tjetër të grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Berisha. Alibeja deklaroi se këto prioritete të shpalosura sot i bëjnë bashkë demokratët dhe se çoroditja e opozitës, siç e quan ai përçarjen në selinë blu kai ka shërbyer Ramës. Në fjalët e tij u la të kuptohej se një bashkëpunim në PD është i mundshëm në këtë sesion të ri parlamentar.
“Ajo se çfarë u deklaruar këtu ishin prioritete parlamentare të veprimtarisë së grupit të PD. Nuk dua të ngelem pas me të shkuarën. Çoroditja e opozitës ia ka bërë të lehtë Ramës të bëjë përshesh. Duhet të kalojmë në akte dhe veprime. Ato që na bëjnë bashkë besojmë ne janë këto prioritete.
Aksioni politik është ai që na bën bashkë. Këto janë çështje që do të konkretizohen. Aty secili do të mbajë qëndrimin e vet. Për ne që kemi rënë dakord për këtë çështje ajo që na bën bashkë janë këto çështje. Kam përshtypjen se për këto çështje nuk ka asnjë dallim dhe ndasie mes nesh”, u shpreh ai.
Alibeaj foli edhe lidhur me nismën e Partisë Socialiste për ndryshime në ligjin e dekriminalizimit për të cilën u shpreh se kjo çështje është zgjidhur nga PD me ligjin e lustracionit.
“Çështja që e thatë e përmbledh lustracioni. Kanë qenë historikisht të filluara nga PD. Nëse janë penguar disa episode, janë penguar nga PS dhe vetë Rama. Ne kemi paketën tonë të dekomunistizimit. Ajo do të jetë çështja që ne do ta mbështesim të gjithë. Kjo është ajo që mund t’ju them lidhur me lustracionin. Përdorimi i lustracionit për lojëra të vogla politike është shërbimi më i keq që i është bërë kësaj çështje. Është nevojë e shoqërisë dekomunistizimi.
Po e përsëris edhe njëherë çështjet e dekomunistizimit janë të PD, historikisht ka ndodhur kështu. Ne kemi depozituar tre iniciativa. Ajo që kemi është edhe lustracioni. Të thirrur për të mbështetur iniciativat tona janë të gjithë. Shumë shpejt do ta depozitojmë edhe lustracionin të plotë”, u shpreh Alibeaj.