Jeton Lami, oficeri i policisë, i cili u arrestua pasi ndihmoi të shumëkërkuarin Ervis Martinaj duke u kthyer në shofer personal të tij, është shndërruar në një “kuti pandore”, pasi është ndër personat e fundit që ka pasur kontakt me Martinajn para se të zhdukej. Gazetari Elton Qyno, tha në një intervistë për Euronews Albania tha se agjenti i policisë është dëshmitari kyç në zhdukjen e Elvis Martinajt, pasi është kontakti i fundit me të në zonën e Shijakut nga ku nuk ka pasur më asnjë gjurmë e tij. Sipas Qynos, dëshmia e agjentit është thelbësore për të kuptuar fatin e të shumëkërkuarit, i cili siç tha kishte hasmëri nga Lezha në Vlorë, me njerëz që e gjurmonin dhe synonin ta ekzekutonin. Me të vërtetë dëshmia e Lamit ka bërë të ditur detaje tronditëse në lidhje me implikimin e funksionarëve të lartë në botën e krimit. Mësohet se Lami ka zhvilluar një bisedë me ish-Drejtorin e Përgjithsëm të Policisë, Gledis Nano ku i ka treguar atij lidhjet që disa nga funksionarë të lartë të policisë kanë pasur me Ervis Martinajn. Bëhet me dije se takimi me Nanon ka zgjatur 2 orë e 30 minuta dhe Lami ka treguar se pse e shoqëronte Martinajn si dhe ka nxjerrë 12 nga emrat e funksionarëve të lartpërmendur. Lami ka konfirmuar edhe një herë atë që dihet tashmë që bota e krimit i ka rrënjët shumë të shtrira në rradhët e policisë dhe se kriminelët që posedojnë shumë para dhe pushtet kanë luksin të kenë dhe një oficer policie si shofer personal në një kohë që janë në top 10 të personave më të kërkuar nga drejtësia. Këto janë provat që shteti është komplet i pafuqishëm para kriminelëve të kësaj kategorie.
Ndërkohë “Ora News” raporton se për emrat e drejtuesve të lartë të policisë, është informuar dhe një ambasadë mike në Shqipëri. Disa prej këtyre 12 emrave janë në Drejtorinë Qëndrore të Policisë, ndërsa disa kanë shtrirje në qarqe.
Nga sa mësohet Nano, i ka kërkuar Jeton Lamit që rrëfimi i tij të merret me procesverbal në mënyrë që të kishte efektin e provës proceduriale.
Por Jeton Lami s’ka pranuar propozimin e Nanos, për arsye sigurie. Lami sot mbahet në burgun e “Shën Kollit” në Lezhë, dhe deri në këtë fazë akuza ndaj tij është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.
Ndërsa Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, është shkarkuar nga detyra.
Para se t’i kërkohej dorëheqja dhe më pas të largohej me shkarkim, Gledis Nano, ka zhvilluar një takim me ministrin Bledi Çuçin, duke e vënë në dijeni mbi përmbajtjen e dëshmisë së oficerit të arrestuar Jeton Lamit dhe emrave të zyrtarëve të lartë të policisë që ai i ka treguar. Vetëm 3 ditë më pas Nanos iu kërkua të paraqesë dorëheqjen, për arsye se krimi është rritur shumë kohët e fundit. Kjo ishte arsyeja zyrtare, por ndoshta Nano ka shkelur në kallo dikë më të rëndësishëm apo ka ditur diçka më shumë se duhet. Vetë ngjarja e Ervis Martinajt është shumë misterioze, që nga saga kriminale lidhjet me pushtetarët, policinë, lojrat e fatit, të cilat Rama po dëshiron t’i hapë përsëri e deri te zhdukja fizike ka shumë për të mësuar. Lamio është thjesht një pesh i vogël në këtë histori.