Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes së Kryesisë, i është përgjigjur gazetarëve lidhur me çështjet e nxehta politike në vend.
Lulzim Basha ka përsëritur pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, se do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që është edhe një nga propozimet e tij të miratuara sot.
Ai tha se Këshilli Kombëtar ka sanksionuar hapat për betejën politike në vijim.
“Misioni ynë është i qartë Këshilli Kombëtar sot ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike që ka objektiva të qarta. Të çrrënjosim krimin, korrupsionin, të çlirojmë ekonominë nga krimi dhe oligarkia që pamundësojnë zhvillimin ekonomik. T’u shërbejmë qytetarëve shqiptarë jo vetëm duke i rikthyer shpresën por duke i kthyer votën e ndershme. PD-ja do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme,” – deklaroi Basha.