Prej kohësh shoqatat e transportit publik janë shprehur të pakënaqur me mbështetjen që qeveria ka dhënë në lidhje me këtë sektor, kryesisht me ato që ofrojnë transportin publik qytetas. Në një kohë ku çmimi i naftës ka kapur majat ata kërkuan një ndihmë nga shteti ose do të rrisnin biletën, por që Rama në fillimin e rrijes së çmimeve u shpreh se nuk do rritet çmimi dhe premtoi ndihma. Ditën e sotme Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballluku është shprehur se qeveria do të vijojë mbështetjen për sektorin e transportit publik për të bërë të mundur mbajtjen të pandryshuar të çmimit të biletave për të gjithë qytetarët.
Balluku tha se mbështetja do të vijojë edhe për muajt gusht shtator, tetor.
“Ashtu siç jeni në dijen ne me aktin 225 kemi përcaktuar një masë kompensimi për të gjitha kompanitë e transportit publik, e cila ka qenë në fuqi deri në muajin gusht. Gjatë kësaj peridhe janë tërhequ 60 përqind e fondit, kjo dhe për shkak të procedurave dhe kushteve që duhen plotësuar. Me aktin e sotëm është marrë vendimi që kjo paketë të vijojë në muajin gusht shtator dhe tetor. Kjo është një paketë që qeveria e ka projektuar dhe e mban në fuqi edhe për tre muajt e ardhshëm dhe nuk do të ketë impakt shtesë në buxhet pasi është parashikuar që në fillimin e vitit në paketën anti-krizë”, tha Balluku.
Kujtojmë se Akti Normativ i firmosur në muajin prill të këtij viti, vendosi një kompensim të kompanive të transportit publik me 100 lekë për litër nafte, në mënyrë që frenohej rritja e çmimit të biletës për qytetarët.
Balluku deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se vendimi për kompensimin e këtyre kompanive është pjesë e paketës anti-krizë të hartuar nga qeveria për të mbështetur qytetarët dhe biznesin.
“98 % e transportit në Shqipëri kryhet përmes rrugës dhe po mundohemi të ruajmë çmimin e biletës që mos të ketë një ndryshim”, deklaroi Balluku.
Në vendimin e muajit prill, në dispozicion të kompanive të transportit publik u vu një fond prej 500 milionë lekësh. Zv/kryeministrja Balluku informoi se deri tani është tërhequr nga kompanitë e transportit vetëm 60% e fondit.