Mbrëmjen e sotme kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka pritur në një takim pranë zyrave të kësaj force politike përfaqësues të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, e cila operon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e ka njoftuar këtë përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se në takim u ndanë ide të çmuara në lidhje me rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe diasporës tonë në SHBA.
Ndër të tjera Meta ka vlerësuar angazhimin dhe përpjekjet e anëtarëve të kësaj shoqate për mbrojtur dhe promovuar identitetin e Shqipërisë.
Postimi i plotë:
I lumtur të mirëprisja sot në një takim vëllazëror një përfaqësi të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, z.Mondi Rakaj, z.Tasim Ruko dhe z.Mersin Gjini, të cilët i falenderova edhe njëherë për pritjen shumë të ngrohtë në Neë York ku festuam së bashku 110-vjetorin e themelimit të saj.
Mirënjohje angazhimit të palodhur dhe përpjekjeve shekullore të vatranëve për të shpëtuar kombin shqiptar, mbrojtur dhe promovuar identitetin tonë kombëtar europian, mundësuar pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe përshpejtuar proceset tona demokratizuese dhe integruese.
Ndamë shumë ide të çmuara për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe diasporës tonë në SHBA, për të qenë pjesëmarrës shumë më aktivë dhe vendimmarrës në zhvillimet e vendit tonë.