Çmimi i naftës në tregjet globale që prej muajit shkurt, kohë kur nisën edhe tensionet e luftës Rusi-Ukrainë, ka pësuar një rritje drastike.
Por siç ndodh rëndomtë në vendin tonë, kjo situatë u përdor në funksion të pasurimit më tej të oligarkëve, teksa po zhvaten qytetarët.
Bordi i Transparencës që prej fillimit të krijimit të tij asnjëherë të vetme në vendimet e tij nuk e ka reflektuar çmimin e naftës në bursë.
Ndërkohë që për drejtuesit e automjeteve në Shkodër, çmimi i naftës është bërë i papërballueshëm dhe detyrohen ta marrin në vendin fqinj të Malit të Zi.
Ata shprehen për “Fax News” se udhëtojnë drejt Malit të Zi, një herë në tre ditë me qëllim për të kursyer 30 mije lekë të vjetra.
“Kemi më interes për ta marrë naftën në Mal të Zi. Këtu e ulin dhe e çojnë çmimet si të dëshirojnë. 1 herë në 3 ditë marr në Mal të Zi, kursej 30 mijë lekë. Këtu e mbush 10 mijë lekë naftë dhe nuk ke ku të shkosh me atë çmim.” – shprehet një qytetar.
“Çmimi i naftës për kushtet tona është shumë shtrenjtë. Në Kosovë shumë më lirë, këtu është e papërballueshme. Shpresojmë të ulet meqë ka rënë në bursë.” – shprehet një tjetër qytetar.
“Kemi ardhur në Shkodër për të bërë qejf, por çmimi i benzinës dhe i naftës shumë i lartë. I kërkojmë qeverisë të marrë masa. Unë banoj në Romë dhe atje çmimi është shumë më i lirë, 1.50 euro.” – shprehet një emigrant nga Italia.
Nga pasditja e 17 gushtit, 1 litër naftë në vend shitet 227 lekë, ndërsa benzina 201 lekë.