Ditën e sotme personi që ka grabitur makinën e ministrit të Kosovës, Liburn Aliu është ndaluar dhe është vënë në pranga nga Policia e Shtetit në Qafë Morinë. Demokracia shkruan se ai është Bastri Sadriu i lindur më 14.05.1979, me adresë banimi në Obiliq. Në momentin që është ndaluar, ai ka pasur edhe një kaçavidë në njërin xhep.
“Vetura është ndalur në dalje të Qafë Morinës me dy palë targa 3Z-184-13 dhe 01-902-SH, ngjyrë e zezë ku targat 01-902-SH i kishte të vendosura në vendin e caktuar në automjet dhe sipas lejes së qarkullimit ishte pronë e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Mirëpo, personi i cili e ngiste nuk kishte dokument identifikimi dhe sipas tij ai është Bastri Sadriu i lindur më 14.05.1979, me adresë banimi në Obiliq. Personi kishte sjellje të dyshimta dhe gjatë bastisjes në xhepin e tij i është gjetur një kaçavidë. Në automjet nuk vërehej ndonjë dëmtim përveç që kishte rroba të shpërndara në bagazh ashtu dhe në ulëse të automjetit”, kanë thënë burime brenda pikës kufitare për Demokracia.com.
Po ashtu se dyshohet që brenda veturës janë gjetur dokumente e materiale të procedurave të prokurimit të ministrisë së Infrastrukturës. I riu e ka pranuar vjedhjen e mjetit të ministrit Aliu.
“Personi i dyshuar gojarisht ka pranuar se automjetin në fjalë e ka vjedhur në Prishtinë dhe se ka hyrë në pikën kufitare në Qafë Morinë nga Shqipërisë,”- bëhet me dije nga i njëjti burim.
Makina e ministrit të Infrasterukturës, Liburn Aliu u grabit një natë më parë në Prishtinë. Mjeti i llojit ‘Audi A3’ me targa zyrtare 3Z-184-13 u ndalua në orët e para të mëngjesit në pikën kufitare “Qafë Morinë”.