Ditën e sotme Presidenti Bajram Begaj është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovësë, Memli Krasniqi. Gjatë takimit Krasniqi e ka uruar Begajn për postin e presidentit, duke i ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të tij dhe të PDK-së në kultivimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përgëzuar presidentin Begaj për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.
Ndërkohë presidenti Begaj nga ana e tij ka vlerësuar lartë angazhimin shtetformues e shtetndërtues të PDK-së, të liderëve të saj si dhe gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Shqipërisë për proceset jetike të Kosovës me qëllim të fuqizimit të shtetësisë, demokracisë dhe proceseve integruese euro-atlantike.
Lideri i PDK-së ka falënderuar po ashtu shtetin shqiptar për adresimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së për raportin e ish-senatorit Dick Marty.
Gjatë takimit me Presidentin Begaj, kryetari Memli Krasniqi tha se PDK si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, është duke punuar për të ndërtuar një vizion të ri për të ardhmen e vendit tonë, gjithmonë në aleancë të ngushtë më shtetin shqiptar dhe aleatët nga SHBA dhe vendet e BE-së.