Teksa situata e Covid-19 po përkeqësohet në shumë vende, Gjermania “me dorë të hekurt” hedh fokusin tek masat anti-Covid.
Qeveria gjermane ka vendosur masa të reja kundër COVID-19. Masa të cilat do jenë në fuqi gjatë vjeshtës dhe dimrit.
Maskat dhe paraqitja e dëshmisë se një person nuk është i infektuar do të jenë të detyrueshme duke filluar nga muaji tetor dhe deri në prill të vitit të ardhshëm në shtëpitë e kujdesit dhe institucionet e ngjashme që trajtojnë personat më të cënueshëm.
Pasagjerëve në aeroplanë dhe ata që udhëtojnë me tren dhe autobus në destinacione të gjata, po ashtu do t’iu kërkohet që të mbajnë maska gjatë kësaj periudhe.
Ndërtesat publike sikurse shkollat, burgjet dhe strehimoret për azilkërkues mund të aplikojnë testim të rregullt nëse rastet me koronavirus rriten, thanë ministrat e Shëndetësisë dhe Drejtësisë përmes një njoftimi të përbashkët.
Gjithashtu qeveria gjermane synon që të nisë një fushatë për vaksinim kundër koronavirusit gjatë vjeshtës.
Sipas një ankete të kryer nga televizioni publik gjerman ZDF, përqindja e njerëzve që janë të shqetësuar nga rreziku i COVID-19, është rritur me 40%. Shifra në rritje – me 30% në muajin maj dhe 34% në muajin qershor – vjen si rezultat i rritjes së shpejtë të rasteve. Numri i infeksioneve të regjistruara për 1 mijë banorë gjatë shtatë ditëve të fundit ka arritur në thuajse 720, shkruante DË.
Ekspertët besojnë se numri është ende më i madh, duke qenë se shumica e të infektuarve nuk u nënshtrohen më testeve PCR. Në një intervistë të dhënë për të përjavshmen gjermane ‘Der Spiegel’, ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach, tha se me rritjen e rasteve dhe numrit të pacientëve të shtruar në pavionet intensive, të gjithë duhet të këshillohen me mjekët e tyre për marrjen e një doze shtesë vaksine.