Ditën e sotme bëhet me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka nisur hetimet për ndërhyrjet dhe sulmin kibernetik të kryer ndaj portalit e-Albania, që sollën mbylljen e përkohshme të shërbimeve online.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”; “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”; “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”; dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve parashikuar nga nenet 293/1, 293/b, 293/c dhe 293/ç të Kodit Penal”.
Prej disa ditësh shërbimet në e-albania u paralizuan për shkak të një sulmi kibernertik, që sipas kryeministrit Edi Rama dyshohet se është sponsorizuar nga një shtet, që nënkuptohet Irani.
Gjithashtu bëhet me dije se është kërkuar ndihma e agjencive ndërkombëtare ku edhe është vendosur sekuestro për 4 llogari që dyshohet se janë përdorur nga hakerat kibernetikë.
Kujtojmë se teksa pothuajse çdo shërbim vitet e fundit kryhet online, sulmi ndaj E-Albania po shkakton vështirësi dhe bllokim të aktivitetit për shumë sipërmarrje në vend, duke krijuar kaos dhe kosto për sipërmarrjet.
Biznese të shumta janë ankuar pranë Monitor se ata tashmë nuk mund të realizojnë shumë shërbime.
Shqetësimi kryesor është dorëzimi i bilanceve. 31 korriku është afati i fundit i dorëzimit të bilancit të vitit 2021, që bëhet përmes sistemit të E-Albania. Që prej ditës së shtunë askush nuk është në gjendje të dorëzojë bilancin, por edhe më herët subjektet raportuan që kishin vështirësi në këtë proces. Gjoba për mosdorëzim bilanci është rritur këtë vit në 60 mijë lekë, nga 15 mijë lekë që ishte më parë. Janë gati 20 mijë subjekte që kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e bilanceve vjetore.
Faqja e tatimeve është funksionale që prej të dielës në drekë për tatimpaguesit. Bizneset mund të realizojnë edhe fiskalizimin e faturave, përveç të vetëpunësuarve që punon me sistemin self care (pa pagesë), i cili është i lidhur me e-Albania. Si rrjedhojë të vetëpunësuarit nuk mund të lëshojnë fatura. Prej tre ditësh, Denada, që ka një subjekt të vogël shërbimesh, nuk po arrin të lëshojë faturë, çka i ka shkaktuar probleme të shumta për vijimësinë normale të aktivitetit.