Ditën e sotme menjëherë pas çeljes së negociatave Presidenti amerikan Joe Biden ka dërguar mesazhin e urimit për procesin e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në BE.
Në një mesazh të publikuar nga ambasada amerikane në Tiranë, Biden shpreh vlerësimin e tij për hapat e rëndësishëm që BE-ja po merr për integrimin e Ballkanint Perëndimor duke nisur sot negociatat me Shqipërinë dhe RMV-në.
“Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.“-shkroi Biden.
Deklarata e plotë:
Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon që të rrisin angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre.
Sot u mbajt në Bruksel konferenca e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Tashmë Shqipëria zyrtarisht ka çelur negociatat me BE. Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që nis me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.