Gjatë seancës parlamentare ka folur edhe deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili gjatë fjalës së tij i bëri thirrje organeve të drejtësisë të jenë të pavarura dhe të mos hanë presionin e politikës.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste është koshient që Shqipëria po vuan pasoja për sa i përket drejtësisë, por shprehet i bindur se ky është një proces pa kthim.
Gjiknuri: Drejtësia është ndërmarrje e vështirë dhe nuk mund të ndërtohet në një vend ku s’ka drejtësi sociale. Nuk mund të ndërtohet në një vend ku ka varfëri, ku s’ka bashkëpunim me njëri-tjetrin. Drejtësia do të marrë vitet e saj. Të gjitha këto shqetësime që ngrihen këtu dhe janë politike janë pasojë e vettingut dhe reformës. Jo në kuptim negativ. Patjetër po vuajmë disa pasoja, unë nuk mund ta mohoj. Njerëzit kanë shqetësim për vonesat e dosjeve gjyqësore. Problemi është si do ta bëjmë më mirë. Prandaj merren disa hapa, dhe ribërja e hartës së re gjyqësore. Harrojmë që gjëja më e rëndësishme është të dalë data e gjyqit, të zhvillohet gjyqi. Harrojmë që ligjin e kemi shkruar vetë. Kur flasim këtu zbatoni ligjin, qëndrojini atyre kritereve. Ky ishte një operacion i fortë, si të heqësh një tumor. Ju doni që një person sapo del nga operacioni të dalë dhe të vrapojë në fushë. Institucionet e drejtësisë duhet të fitojnë më shumë pavarësi, nuk duhet të bien në presionin e politikës, nuk duhet të presë thika vetëm nga njëra anë. Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi nga të gjitha anët. Nuk i bën mirë Shqipërisë kur zyrtarë dalin në këtë të mënyrë dhe ndëshkohen. Jo se nuk do vendoset precedenti që ata që shkelin ligjin të ndëshkohen. Por nuk i bën mirë imazhit tonë që Shqipëria të demaskohet. I kërkojmë organeve të drejtësisë, të forcojnë fuqinë e tyre, të jenë të pavarura, mos hanë presionin e politikës, të partive politike. Qoftë dhe ju opozitarët sepse keni format tuaja të presionit.
Në përfundim të fjalës, Gjiknuri theksoi që të vendosësh drejtësi nuk duhet të godasësh vetëm nga një anë.