Ditën e sotme një vrasje është parandaluar nga Policia e Sarandës. Duke ndërhyrë në kohë Blutë e qytetit bregdetar kanë bërë të mundur ndaljen e një krimi të mundshëm në familje, pasi është arrestuar një 34-vjeçar, i cili ka tentuar t’i marrë jetën ish-bashkëshortes.
Policia bën me dije se ka arrestuar në flagrancë me pistoletë pa leje shtetasin Kleo Hysi, i cili rezulton të jetë edhe person me precedentë të mëparshëm penalë. Mësohet se ai kishte udhëtuar enkas nga Tepelena në Sarandë për të vrarë ish-bashkëshorten, shtetasen me iniciale F.Ç., me të cilën ka dy fëmijë, respektivisht 9 dhe 13-vjeç si dhe dhe bashkëjetuesin e saj Isuf Jaçaj. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës. Policia sqaroi në njoftimin e saj se Hysi kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që ishte vendosur nga Gjykata e Sarandës për të, duke detyruar që të mos dilte prej banesës.
34-vjeçari ka një të shkuar kriminale. Në vitin 2020 ai kishte realizuar grabitjen e një të moshuari, ngjarje për të cilën Hysi edhe u arrestua nën akuzën e “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim”. Asokohe, ai pasi ka dhunuar 91-vjeçarin Dhimitër Papa, i ka vjedhur atij 20 mijë lekë të reja dhe një armë gjahu “Baikal” ruse, me kalibër 12 mm.
Ndërkohë, ende nuk ka detaje për mënyrën sesi Hysi është liruar nga burgu në një kohë kaq të shkurtër nën masën “arrest në shtëpi”.