Pasditen e sotme deputetja demokrate Jorida Tabaku ka deklaruar se Partia Demokratike ka prezantuar katër amendamente për plotësimin projekt-rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.
Me anë të një videoje të publikuar në Instagram, Tabaku ka thënë se Parlamenti duhet të dënojë gjenocidin, të njohë shkeljen e të drejtave të njeriut, të njohë masakrën e kryer nga ushtria serbe dhe të vrasjen e civilëve. Po ashtu ajo ka theksuar se pa këto katër amendamente kjo rezolutë nuk ka asnjë vlerë.
“Nesër në Parlamentin e Shqipërisë do të diskutohet një projekt-rezolutë për genocidin serb në Srebenicë.
Në emër të PD kemi prezantuar 4 amendamente, pa të cilat kjo rezolutë është e paplotë. Së pari, duhet të dënojmë genocidin serb në Srebenicë; duhet të njohim shkeljet e të drejtave të njeriut; duhet të njohim masakrën që ushtria serbe ka kryer në Srebenicë, por njëkohësisht vrasjen dhe masakrimin e 8000 civilëve. Unë besoj që është në lartësinë e Parlamentit të Shqipërisë të ngrihet në të njëjtin nivel me atë të Kosovës dhe të Malit të Zi, që i kanë dënuar krimet serbe në Srebenicë. Pa këto, çdo miratim tjetër është thjeshtë një letër rutinë e cila nuk ka asnjë vlerë as për memorien historike, por njëkohësisht as për përkujtimin e këtyre viktimave”, tha ajo.