Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për “The Guardian” është shprehur se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, është ende e mundshme brenda vitit 2019, pavarësisht pengesave të mëdha gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë që pritet të zhvillohet dhe Samiti i Ballkanit Perëndimor, më 29 prill, në kryeqytetin e Gjermanisë.
Serbia refuzon të njohë Kosovën si shtet të pavarur, që prej shpalljes së Pavarësisë së kësaj të fundit në vitin 2008. Lufta, e nxitur prej spastrimit brutal që po ushtronin forcat serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, la të paktën 10 mijë shqiptarë të vdekur, përpara se të nevojitej një fushatë bombardimi 78-ditore nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, për t’i dhënë fund konfliktit. Sulmet hakmarrëse gjatë kësaj kohe u morën jetën edhe qindra serbëve.
“Na duhet të ulemi e të bisedojmë edhe me armiqtë tanë të betuar, por pa parakushte, e të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin,” – tha presidenti Thaçi.
Bisedimet mes dy vendeve janë pezulluar që prej muajit nëntor, kur Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj produkteve që vinin prej Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Thaçi tha se nuk ka asnjë plan për të hequr taksën, por ritheksoi nevojën për një progres të shpejtë në këtë aspekt.
Ndër të tjera Thaçi theksoi se ka investuar të gjithë kapitalin politik të ndërtuar përgjatë dy dekadave të fundit në suksesin e bisedimeve, ndërsa çmimi i dështimeve të vazhdueshme do të dëmtojë të gjithë rajonin.
Plane jozyrtare kanë “pushtuar” mediat dhe rrjetet sociale, sipas të cilave rajoni i dominuar nga serbët në veri të Kosovës, rreth Mitrovicës t’i bashkohet Serbisë, ndërkohë që Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare t’i bashkëngjitet Kosovës. Në praktikë, veriu i Kosovës operon me një formë sovraniteti të dyfishtë, me ndikim si nga Kosova, ashtu dhe nga Serbia.
Thaçi është në favor të këmbimit të territoreve, një ide e kundërshtuar fuqishëm nga Gjermania me frikën se do të zgjojë kërkesa “të fjetura” për kufij të tjerë gjeografikë në Ballkan, përfshi këtu pjesët e dominuara nga serbët në Bosnje, që të rishkruhen mbi vija etnike. Por, Shtetet e Bashkuara duken më shumë në favor të këtij plani.
Presidenti i Kosovës thotë gjithsesi se “demarkacioni” duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të njohjes reciproke mes vendeve, edhe pse thekson se “nuk duhet të ketë kufij mbi linja etnike” dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të mbeten shtete shumetnike.”