Ditën e sotme deputeti i PD-së Dashnor Sula,foli mbi pritshmëritë që ai ka për Komisionin e Reformës Zgjedhore, në një intervistë. Sula është i mendimit që sistemi zgjedhor duhet të ndryshojë, pasi sipas tij në Kuvend ka deputetë që si njeh askush, dhe janë vullnet vetëm i kryetarëve të partive.
“Ngritja e Komisionit të Reformës Zgjedhore është një moment shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh problematikën e zgjedhjeve të 25 Prillit të 2021, si dhe një raport të OSBE ODHIR, që është pikë referimi përsa i përket politikës së gati 30 viteve të fundit.
Të gjithë e dimë që në sistemin propocional rajonal është realizuar ardhja në parlament e elementëve kriminalë, me rekorde, trafikantë droge apo prostitucioni, me rekorde vërtetë të rënda. Sistemi zgjedhor është dhembra e akilit, për mua sistemi duhet të ndryshojë. Në emrin tim personal, sistemi më i konsoliduar ka qenë ai mazhoritar, me 40 zona korrektimi, e rëndësishme është që të ketë vullnet politik.
Duhet të bëhet e mundur vota e emigrantëve, është rretj 50% e votuesve që nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre, është diçka e panegociueshme, siç duhet të jetë dhe votimi dhe numërimi elektronik. Jemi i vetmi vend në rajon që na duhet një javë për të nxjerrë rezultatet e zgjedhjeve.
Kam bindjen që ky komision do të bëjë një punë shumë të mirë. Një sistem ideal nuk ka, çdo sistem ka avantazhe dhe disavantazhe, ripërtëritja e politikanëve në vitet e fundit nuk ka ndodhur, ka politikanë që vijnë në Kuvend dhe nuk i njeh njeri”, u shpreh Sula.
Ndërkohë që sa i takon mungesës në Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, të përfaqësuesve të PD-së së Berishës, Sula u shpreh se interesi i demokratëve është parësor për çdo deputet, pa ndasi.
I pyetur nga gazetarja e Fax News, Lusi Përgjegji, nëse do të bëhet zëri i propozimeve të bëra nga kolegët e tjerë të PD-së që nuk janë pjesë e komisioneve, Sula u përgjigj pa asnjë diskutim se po.
“PO, çdo gjë që është në interes të elektoratit, të demokratëve, unë jam i hapur dhe i pranoj, unë mendoj që një politikan matet nga veprimet që ai kryen. Veprimet e mia do të jenë padiskutim në interes të demokratëve”, tha deputeti demokrat.