Detaje të reja janë zbardhur detaje të tjera nga dosja penale e prokurorisë së Elbasanit, e cila çoi në arrestimin e dy drejtuesve të lartë të policisë, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, si dhe pezullimin nga detyra të 6 punonjësve të tjerë të policisë Elbasan.
Burime për Ora News thuhet se 8 punonjësit e policisë kanë gënjyer mbi vendodhjen e tyre në mesditën e 21 prillit 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Pamjet filmike kanë nxjerë zbuluar punonjësit e policisë dhe qëndrimet që ata kanë mbajtur në prokurori. Nushi dhe Nikollaq Palla kanë treguar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja kanë qenë një grumbull personash, prej rreth 100 vetë dhe nuk kanë arritur të shikojnë dhe kuptojnë asgjë se çfarë po ndodhte, pasi u krijua rrëmujë.
Në sinkron të dëshmisë së dy ish-zv/drejtorëve të Qarkut Elbasan, kanë qenë dhe 6 punonjësit e patrullës “Shqiponja”, të cilët kanë treguar se s’kishin parë asgjë për shkak të rrëmujës të krijuar mes grumbullit të njerëzve. Madje në dëshminë e tyre, policët, komandanti i grupit Dedjon Duraku dhe dy zv/drejtorët e qarkut, gënjejnë edhe për i përket pozicionimit të tyre në terren. Gjatë marrjes në pyetje, policët kanë treguar se nuk kanë ndërhyrë, pasi nuk ka pasur përleshje mes personave që ndodheshin në rrugë.
Por vetëm të shtëna të menjëhershme arme, të cilat nuk i kanë kuptuar se nga cila anë vinin. Të pyetur se pse nuk kishin ndërhyrë dhe vepruar për të kapur autorët që kanë përdorur armët në 21 prill, punonjësit e policisë janë shfajësuar, duke u shprehur se kishin marë masa për dhënien e ndihmës personave të plagosur. Por një video e sekuestruar nga prokuroria e Elbasanit ka nxjerrë zbuluar deklarimet e dhëna në prokurori të policëve dhe veprimet që ata kanë kryer ditën e ngjarjes. Policët nuk dominojnë territorin ku po ndodhte konflikti dhe nuk bënë asnjë përpjekje për të neutralizuar dhe shoqëruar personat e përfshirë në këtë ngjarje.
“Efektivët qëndrojnë indiferentë dhe nuk përmbushin detyrën, duke çuar më pas në përshkallëzimin e konfliktit, në përdorimin e armëve. Uniformat blu nuk kanë neutralizuar Mehmet Grecën dhe personat e tjerë, pasi të gjithë ngjarjen e ka dominuar grupi i shokëve të Grecës dhe grupi i Strukturës së Mbrojtjes së Votës të Partisë Demokratike. Në video grupi i patrullës “Shqiponja” rezulton se ka vënë re konfliktin fizik, që po ndodhte në rrugë mes disa personave, anëtarë të Strukturës së Mbrojtjes së Votës dhe militantë të Partisë Socialiste përfshirë dhe Pjerin Xhuvanin. Në pamjet filmike dallohet qartë se askush prej policëve, nuk ka ndërhyrë për të shmangur përplasjen. E vetmja që ka ndërhyrë dhe ka hyrë mes sherit, ka qenë policja Xhensila Sota, e cila mbeti e plagosur në këmbë nga goditja me armë e Arbër Paplekaj. Sota duket në video duke u larguar, teksa kërcen me një këmbë, pasi plumbi i kishte prekur këmbën tjetër. Kolegët e saj largohen me vrap dhe fshihen pas furgonit të policisë. Ndërsa Klemend Xhaferi ose “Kel Çami”, nga filmimet rezulton se nuk ka pasur asnjë armë në duar dhe nuk ka kryer veprime kriminale ndaj askujt personi që ndodhej në rrugë. Tërësisht inekzistent është zv/drejtori i Qarkut Elbasan, Albert Nushi, pasi teksa kishte përballë personat që konfliktoheshin fizikisht, zbret qetësisht nga makinë “Range-Rover” e bardhë, ku në dorë mban dhe një radio policie. Dhe sapo dëgjon të shtënat e armës, kthehet me shpinë pas dhe fshihet pas derës së hapur të makinës nga kishte zbritur. Të njëjtat veprime ka kryer dhe zv/drejtori i Qarkut Nikollaq Palla, të cilët janë fshehur dhe nuk kanë kryer asnjë lëvizje për të kapur personat që përdorën armë dhe sollën vrasjen e Pjerin Xhuvanit, dhe plagojen e 4 personave të tjerë,”- thuhet në dosje.
Kujtojmë se në ngjarjen e 21 prillit të vitit 2021, mbetën të plagosur dy anëtarë të skuadrës së mbrojtjes së votës, Emiljano Prenga dhe ish-polici Pavlo Vuksana. Një ditë më parë u raportua se Nushi e Palla janë lënë në arrest shtëpie. Ndërsa gjashtë efektivët e pezulluar janë Dedjon Duraku, Pëllumb Bicaku, Erjon Balla, Erjon Meçja dhe Besmir Kadiu.