Mbrëmjen e sotme një aksident ka ndodhur në Tepelenë. Mësohet se një person me iniciale A.B duke drejtuar makinën ka përplasur dy fëmijë. Të miturit janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë. Shkaku i aksidentit është ende i paqartë.
Njoftimi i Policisë:
Tepelenë- Rreth orës 20:15, në rrugën “Bilbilenjtë”, në lagjen “Mustafa Matohiti”, Tepelenë, shtetasi A. B., banues në Tepelenë, duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, ka përplasur 2 fëmijë, të cilët u transportuan në spital, për të marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i automjetit u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë për të kryer procedurat e mëtejshme. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Kujtojmë se gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, numri i aksidenteve rrugore në të gjithë vendin ka qenë në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithsej janë shënuar 217 aksidente rrugore, 13 më shumë se dy muajt e parë të vitit të kaluar. Numri i viktimave të shkaktuar nga këto aksidente ka ardhur në rënie. Në muajt janar e shkurt të 2022 kanë ndërruar jetë 32 persona, 8 më pak se vitin e shkuar.