Kosova dhe Serbia më datë 21 qershor miratuan një udhërrëfyes në kuadër të Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por që nuk u zbatua kurrë nga palët. Ndonëse lajmi për një “ngrohje” të raporteve ndërmjet shtetev ishte i bujshëm, shum pak ditë më vonë shfaqen paknaqësitë e para. Ajo që është ende e paqartë është se kush saktësisht do të menaxhojë nënstacionin elektrik të Vallaçit
Udhërrëfyesi i miratuar në qershor përmend edhe trafo-stacionin e Vallaçit, i cili gjendet rreth tetë kilometra larg Mitrovicës së Veriut, komunë e cila është e banuar me shumicë serbe.
Edhe Kosova, edhe Serbia pretendojnë se janë pronare të Vallaçit, përmes të cilit do të shpërndajnë energjinë elektrike në komunat në veri të Kosovës.
Aktualisht, punëtorët e nënstacionit Vallaç paguhen nga Rrjeti Elektrik i Serbisë (Elektromrezha Srbije – EMS), por marrin udhëzime nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).
KOSTT-i: Vallaçi është nën administrimin e Kosovës
Nga KOSTT-i thonë se energjia elektrike transmetohet dhe distribuohet nëpërmjet Rrjetit të Transmetimit 400/220/110 kV të Republikës së Kosovës dhe Rrjetit të Distribuimit 35/xx kV të Republikës së Kosovës (KEDS).
KEDS-i është kompani e Kosovës për shpërndarjen e energjisë elektrike. Nga viti 2013, ajo menaxhohet nga një konsorcium turk dhe ka autoritetin ekskluziv për shpërndarjen e energjisë elektrike në gjithë Kosovën, si dhe për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e aseteve në terren.
Në udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë thuhet se Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) lëshon licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe siguron se puna e kompanisë zhvillohet në përputhje me ligjet e Kosovës.
Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) miratoi të premten licencën për kompaninë Elektrosever, për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike.
Bordi i ZRRE-së votoi me pesë vota për dhe asnjë kundër.
Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.
Nga KOSTT-i thonë se pas licencimit nga ZRRE-ja, që është bërë të premten, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshje për aderim në rregullat e tregut dhe për përgjegjësinë e balancimit me KOSTT-in.
“Pra, sipas legjislacionit në fuqi, energjinë elektrike në tërë territorin e Kosovës e transmetojnë dhe e shpërndajnë kompanitë e licencuara për këto aktivitete, KOSTT dhe KEDS”, thuhet në një deklaratë të KOSTT-it për Radion Evropa e Lirë.
Aty, po ashtu, theksohet se Vallaçi është në pronësi të KOSTT-it.
“Pra, KOSTT-i i ka të gjitha kompetencat e operimit, mirëmbajtjes dhe zhvillimit të nënstacionit”, thuhet në deklaratë.
Shtohet se KOSTT-i ka planifikuar “revitalizimin e nënstacionit dhe ndërrimin e pajisjeve të tensionit të lartë 110 kV në nënstacionin Vallaç”, në mënyrë që “të rritet siguria dhe besueshmëria e operimit të nënstacionit, si dhe siguria e furnizimit me energji elektrike e palëve të kyçura”.
“Vallaçi është i Serbisë”
Rrjeti Elektrik i Serbisë (EMS), në anë tjetër, thotë se “në nënstacionin e Vallaçit janë gjashtë të punësuar të përhershëm – të gjithë kanë kontratë pune për një kohë të pacaktuar, që do të thotë se e marrin pagën në EMS-ja”.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë për funksionimin e mëtejmë të nënstacionit Vallaç, EMS-ja thotë se kjo çështje është kompetencë e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
REL i është drejtuar kësaj zyre me të njëjtën pyetje, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë më 22 qershor për mediat serbe se nënstacioni Vallaç do të jetë në pronësi të Serbisë dhe se diçka e tillë “nuk është vënë në dyshim asnjëherë”.
“Ashtu sikurse që është edhe Elektrosever-i ynë… është kompani serbe”, ka thënë Petkoviç për Radio-Televizionin e Serbisë, duke shtuar se kjo “kompani serbe do të jetë përgjithmonë e pranishme në Vallaç”.
Ai ka pretenduar se për një gjë të tillë ka garanci edhe nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Krahas udhërrëfyesit, kemi dy dokumente shumë të rëndësishme, këtu tani i kam sjellë ekskluzivisht origjinalet – gjegjësisht, letrën e përfaqësuesit të veçantë për dialog, Mirosllav Lajçak, në të cilën shkruhet se Elektrosever do të jetë përherë i pranishëm në Vallaç”, ka thënë Petkoviç.
Sipas tij, kjo do të thotë se “askush nuk mund të ndërhyjë në Vallaç dhe askush nuk mund ta marrë Vallaçin”.
“Kushdo që e kupton sadopak situatën në Kosovë, e di se çdo ndërhyrje në Vallaç, i cili paraqet zemrën e sistemit elektro-energjetik në veri… ose nëse Prishtina arrin ta marrë Vallaçin, veriu do të mbetet pa energji elektrike”, ka thënë Petkoviç.
Ai ka shtuar se Serbia ka marrë garanci se KOSTT-i dhe KEDS-i, “vetëm me leje të kompanisë serbe Elektrosever, do të mund të kenë qasje në Vallaç” – gjë që nuk shkruan askund në udhërrëfyesin e publikuar për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Bashkimit Evropian, por edhe Qeverisë së Kosovës për t’i konfirmuar ose hedhur poshtë deklaratat e Petkoviqit, se ekzistojnë letra garancie që KOSTT-i dhe KEDS-i nuk mund të kenë qasje në Vallaç pa miratimin e Elektrosever-it, por nga asnjëri institucion nuk ka marrë përgjigje.
Me Marrëveshjen e vitit 2013 për energjinë ( për zbatimin e së cilës Kosova dhe Serbia u pajtuan më 21 qershor), konsumatorët në veri do të paguajnë vetë rrymën, pas 23 vjetësh. Elektrosever do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës atje.
Çeku: Nuk mund të kontestohet pronësia e Kosovës mbi Vallaçin
Eksperti i energjisë në Kosovë, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i këtij sektori, thotë se nënstacioni i Vallaçit është aset i Kosovës dhe se pronësia e tij nuk mund të kontestohet. Deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, Çeku i vlerëson si të paqëndrueshme.
“Vallaçi është pjesë integrale e sistemit energjetik në Kosovë, pjesë e aseteve të Republikës së Kosovës. Çështja e menaxhimit mbetet një çështje shumë e vështirë, të cilën duhet ta zgjidhë Qeveria e Kosovës. Ne po shpresojmë që, më në fund, Serbia e kupton se problemet e energjisë nuk janë probleme lokale, pra nuk janë problem i raporteve vetëm Kosovë-Serbi, por janë probleme globale”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se, nëse Serbia arrin ta shkëpusë nënstacionin Vallaç nga sistemi energjetik i Kosovës, “atëherë hapet dera edhe për shumë elemente ndikuese në fushën e energjisë”.
“Politizimi i furnizimit me energji elektrike”
Nënstacioni i Vallaçit në veri të Kosovës siguron pjesën më të madhe të energjisë elektrike për veriun e Kosovës, ku jeton popullatë me shumicë serbe.
Gjithashtu, hidrocentrali në Liqenin e Ujmanit furnizohet me energji elektrike nga nënstacioni i Vallaçit.
Çeku thotë se rëndësia e Vallaçit ka bërë që Serbia ta synojë të drejtën e pronësisë mbi këtë nënstacion, ndërsa Kosova të insistojë në ruajtjen e së drejtës së pronësisë mbi të.
Siç thotë ai, Vallaçi është “pika e energjisë që ndërlidhet përmes Ujamanit dhe, përmes tij, kontrollohet e gjithë hyrja e energjisë në pjesën veriore të Kosovës”.
Në këtë kontekst, sipas tij, çështja e nënstacionit Vallaç ka marrë edhe kuptim politik.
“Ky është problemi themelor, sepse ajo pjesë [veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe] po e politizon skajshmërisht çështjen e energjisë, e cila është çështje fundamentale dhe e drejtë qytetare. Vetë kërkesa për të krijuar një kompani njënacionale [Elektrosever] dhe duke mos e pranuar sistemin energjetik të Kosovës, tregon se pala serbe, fatkeqësisht, është duke e vendosur [furnizimin me energji elektrike] në kontekst politik”, thotë Çeku.
Në pritje të kompensimit për rrymën e paguar për veriun
Nënstacioni i Vallaçit është një nga nënstacionet e para të ndërtuara në Kosovë në sistemin e transmisionit. Është i lidhur me disa linja të tensionit të lartë 110 kV (kilovolt): me nënstacionin Trepça, nënstacionin Skënderaj, nënstacionin në Ujman, nënstacionin Ilirida (Mitrovicë) dhe nënstacionin Palaj (në afërsi të Prishtinës), si dhe me nënstacionin Novi Pazar 2 – linjë interkonektive Kosovë-Serbi.
Rol i Vallaçit thuhet se është të sigurojë furnizim të besueshëm me energji elektrike për palët e kyçura në këtë nënstacion, brenda Sistemit të Transmetimit të Kosovës.
Gjithashtu, ky nënstacion është i rëndësishëm edhe për shkëmbimin fizik të energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes linjës interkonektive 110 kV Vallaç-Novi Pazar./REL