Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, atje ku do të mbahet edhe samiti i BE ku do të vendoset nëse do të çelen apo jo negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Jua kam thënë dhe po e përsëris, përkundër optimizmit të ngutur të disave dhe këtu në Bruksel, nuk pres që të zgjidhet asgjë në Bullgari. Por ndërkohë nëse do të zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s në kulim e një lufte të nxehtë në kufijtë e Europës, nën vështrimin e 26 shteteve të tjera, që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë në romanin e famshëm. Do të jetë një motiv. Do flasim më vonë kur të kemi konferencën për shtyp”, deklaroi Rama.
Kujtojmë që ditën e djeshme në një postim në “Twitter”, Rama u shpreh se do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së, duke shtuar se “Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian”.
Kujtojmë që Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut paralajmëruan dje bojkot në Samitin e Bashkimit Europian.
Liderët e këtyre tri shteteve, përmes një bisede të përbashkët, sinjalizuan se nuk do të marrin pjesë në Samitin e BE-së, i cili do të mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.