Ditë më parë ‘plasi’ superskandali për djalin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi i cili po akuzohet se është pjesë organike e bandës së mjekëve dhe biznesmenëve kontrabandistë të ilaçeve Shqipëri-Itali.
Endi Çuçi, 24 vjeç, me një detyrë shumë të lartë shtetërore, specialist në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, është ndaluar nga shteti italian si korrier ilaçesh kontrabandë. Mbi të ka edhe akuzë “hyrje dalje nga Malpensa e Bari në regjimin e një lockdown-i pandemik”, si pjesë e bandës ndërkombëtare të ilaçeve ilegale.
Po ajo çka është vënë re gjatë këtyre ditëve ku lajmi ka marrë ‘dhenë’ kudo, është heshtja që ka kapluar kryeministrin Rama dhe ministrin Çuçi lidhur me këtë çështje.
Përse vallë nuk është ‘ndjerë’ zoti Çuçi? Përse kryeministri ynë i cili është i gatshëm të kundërpërgjigjet e të ironizojë akuzat e partisë Demokratike, për këtë çështje nuk ka thënë as gjënë më të vogël?! Mos ndoshta këto akuza janë tashmë të vërteta e më mirë qeveria jonë është të heshtë?
Është e kuptueshme që kjo akuzë mund të shihet me dyshim, kur dihet që publikuesi është ish-kryeministri Sali Berisha, person në konflikt me bashkëshorten aktuale të ministrit Çuçi, por dhe prej faktit, se drejtësia italiane nuk ka publikuar version zyrtar hetimor, por prapë kjo sjellje e Ramës dhe Çuçit nuk është fare e justifikueshme pasi ai është Ministër i Brendshëm që paguhet nga taksat publike, por nga ana tjetër është edhe drejtues i një institucioni e shërbimi që lufton krimin dhe ka në dorë pikat kufitare.
Bledi Çuçi e ka detyrim të bëjë një sqarim si ministër.
Së pari, sepse djali i figuron si “korrier”, në përgjimet e aktivitetit të një grupi trafikimi pacientësh me letra false dhe kontrabande ilaçesh; vepër penale kjo për të cilën gjatë 18 muaj pune si ministër, policia ka goditur 19 raste kontrabande ilaçesh me 47 të arrestuar.
Së dyti, edhe nëse do ishte djali i një polici të thjeshtë, ministri i Brendshëm e ka detyrim të reagojë e sqarojë nëse ka apo jo prova, gjë të cilën e ka bërë në disa raste, duke i mbrojtur ata që kanë lidhje me ‘qeverinë Rama’ e duke pezulluar ata që nuk kanë suport politik.
Ministri Çuçi ka qenë ai që ka reaguar e ‘mbuluar’ madje akuzat dhe bëmat e fëmijëve të deputetëve pushtetarë të cilët janë kapur e përleshur me armë në mes të Tiranës, e tashmë po hesht për djalin e tij?!
Çfarë po ‘kurdis’ Çuçi dhe Rama pas gjithë kësaj heshtjeje?! Mos ndoshta shumë shpejt do na nxjerrin “fakte” që veç ata dinë t’i gjejnë dhe do dalin të ‘larë’ nga kjo histori? Me siguri po gjejnë mënyrën e duhur për të mbuluar e modifikuar tashmë dokumentet që vërtetojnë se Endi Çuçi është i përfshirë në këtë superskandal… po e gjitha kjo mbetet për tu parë se deri kur do të heshtë ministri Çuçi për djalin e tij dhe a do të mundet ta nxjerrë të pastër nga kjo dosje e ‘errët’ që tashmë është i përfshirë.