Vazhdon ende beteja e veteranëve të UÇK-së me Qeverinë në përpjekjen e tyre për t’u përfshirë në projektligjin që përcakton pagën minimale.
Paraditen e sotme veteranët organizuan një “proteste gjithëpopullore” para Kuvendit dhe Qeverisë. Të indinjuar që deputetët miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata, veteranët paralajmëruan dalje masive në protestën e sotme.
Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka njoftuar në Facebook se do të ketë organizim me autobusë në mënyrë që protestës t’i bashkohen veteranët nga i gjithë vendi.
Ndërkohë zyra e BE-së në Prishtinë ka reaguar për protestën e cila po mbahet nga veteranët e UÇK-së para Kuvendit të Kosovës për shkak se nuk janë përfshirë si kategori në projektligjin e pagës minimale.
Në një postim në Twitter thuhet se e drejta e tubimit paqësor garantohet me ligj por bënë thirrje që protestuesit të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për ruajtjen e rendit.
“E drejta për tubim paqësor garantohet me ligjin ndërkombëtar dhe të Kosovës. Duke njohur të drejtën për të protestuar, u bëjmë thirrje të gjithë protestuesve në Kosovë sot që të përmbahen nga çdo formë dhune dhe të bashkëpunojnë me Policinë për ruajtjen e rendit publik, dërisa dëgjohet zëri i tyre”, thuhet në reagim.