Çështja e fermës së shpendëve në fshatin Mizë në Divjakë është konsideruar si e mbyllur nga specialistët e shërbimit veterinar. Ato bëjnë me dije se janë marrë të gjitha masat që nga dezinfektimi i të gjithë zonës, groposja e shpendëve sipas rregullave dhe venia nën karantinim i fermës. Sipas tyre, ka dalë rezultati përfundimtar i analizave mbi shpendët e ngordhur, është bërë e qartë se rasti i fermës së shpendëve të Ardian Bakiut është një rast i veçuar, që nuk ka shkaktuar pasoja në zona të tjera të fshatit. Në lidhje me këtë rast mësohet se bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm rikash të vogla të cilat Ardian Bakiu i merrte nga zona të ndryshme të vendit dhe i rriste në rezervuarin ujor në territorin e fermës së tij.
Gjithashtu mësohet se asnjë nga veterinerët të Shërbimit Fier të cilët kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me këtë fermë, nuk është infektuar, por akoma nuk mund të themi asgjë për njerëzit.
Ndërkohë ritheksohet se infeksioni i rënë mbi këtë fermë është një infeksion i zakonshëm shpendësh, por jo inflamator.
Kujtojmë se kur ndodhi ngjarja fermeri bashkë me një numër të madh banorësh të zonës nga fshati Mizë në Divjakë përfunduan në spital me temperaturë të lartë dhe këputje në trup pas kontaktit me rosa të ngordhura. Ngjarja ndodhi në fermën e biznesmenit Ardian Bakiu, i cili prej vitësh mbarështron rosa pranë një liqeni në fshat. Ai konfirmoni asokohe se brenda pak ditësh i ngordhën 4 200 rosa që kishte në fermë. Përballë një numri kaq të madh shpendësh të ngordhura, biznesmeni rrëfen se ka kërkuar ndihmën e banorëve për të mundësuar groposjen e tyre, por fill pas kësaj ata, bashkë me vetë Ardianin kanë shfaqur simptoma sëmundjeje si temperaturë dhe këputje.