Ditën e sotme gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i bëri thirrje opozitës që të lërë pas politikat e ndasive dhe sherrit dhe të bashkohen në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ministri Çuçi u shpreh se ligji i OFL dhe ai i Vettingut në Policinë e Shtetit janë dy nisma atipike dhe unikale, ndërsa shtoi se do të vazhdojë lufta për të larguar nga Policia e Shtetit ata që nuk e meritojnë uniformën.
“Cdo debat që vjen nga opozita është i shëndetshëm dhe i mirëpritur. Është e vërtetë që qoftë ligji i OFL, apo ligji i Vettingut në Policinë e Shtetit, janë dy nisma atipike dhe unikale dhe si të tilla asnjëherë debati rreth tyre nuk është shterues. Ne do largojmë nga Policia e Shtetit ata që nuk e meritojnë uniformën. Do iu heqim nga duart pasuritë, për t’ia kthyer shoqërisë si formë shpagimi, por në këtë betejë ne duhet të jemi bashkë. Politika e ndasive dhe sherrit i duhen lënë një kohe tjetër, sepse nuk na con asgjëkundi”, tha ministri.
Për tu kthyer tek pyetjet e kolegut të opozitës:
Çfarë është OFL?
Operacioni Forca e Ligjit është një moment historik i luftës inteligjente të Policisë së Shtetit kundër forcës së krimit, si një instrument i shpejtë dhe i thjeshtë, për të gjurmuar pasuritë e personave të dënuar apo nën hetim për krim të organizuar, për terrorizëm dhe për kryerjen e krimeve të rënda.
Sikundër dihet, nisja e këtij operacioni bazohej në Aktin Normativ, nr. 1, datë 31.01.2020 qëllimi i të cilit ishte ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, terrorizmit dhe cdo lloj forme në të cilën ato shfaqen.
Ky Akt Normativ ishte një instrument ndihmës për Policinë e Shtetit, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe pasuritë e vënë prej tij nga subjekte të ndryshme. OFL nisi si aksion, me qëllimin, vetëdijen dhe vizionin e plotë se do të shndërrohej në proces të vazhdueshëm, ashtu siç ndodhi.
Pavarësisht se zbatueshmëria e Aktit Normativ përfundoi më 21 dhjetor 2020 rezultatet e OFL po i shtrijnë dhe do t’i shtrijnë efektet e tyre edhe në të ardhmen e afërt. Çdo subjekt i evidentuar nga Policia e Shtetit në kuadër të OFL-së, po hetohet dhe do të përgjigjet për pasuritë e jashtëligjshme, falë instrumenteve të garantuara edhe nga ligji Antimafia. (10192/03.12.2009, i ndryshuar). Këto dy ligje nuk duhet të konsiderohen kurrësesi si të mbivendosur, përkundrazi ata janë komplementarë/plotësues në qëllimin e tyre.
Ju siguroj se nuk ka dhe nuk do të ketë “vakum dhe heshtje”, pasi struktura përkatëse (Drejtoria Hetimore- ish OFL) në Policinë e Shtetit, punon sistematikisht dhe intensvisht për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit, sipas një plani të mirëfilltë dhe të detajuar i cili shqyrton subjektet në bazë të veprave penale për të cilat janë dënuar apo janë hetuar, duke i dhënë prioritet e në rend zbritës, veprave penale që kanë një marzh më të lartë dënimi.
Në kushtet e nevojës dhe të urgjencës të krijuar nga reforma në drejtësi, por edhe nga problemet funksionale të sistemit gjyqësor për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar të Prokurorëve dhe Gjykatësve, lindi nevoja e miratimit të këtij Akti Normativ.
Byroja Kombëtare e Hetimit, edhe pse ishte krijuar, nuk kishte arritur të fillonte funksionimin e saj dhe në një kohë kur një sasi e konsiderueshme e mjeteve pasurore të cilat mendoheshin se buronin nga krimi, ishin sekuestruar në kuadër të një serie veprimesh të autoriteteve ligjzbatuese shqiptare, në bashkëpunim me ato të huaja.
Ky akt normativ i dha një impuls të fuqishëm, në një kohe shumë të shkurtër (11 muaj), luftës kundër krimit të organizuar duke e goditur atë në pjesën që e fuqizon dhe që i dhemb më shumë: tek PASURIA.
Akti Normativ në ndryshim nga ligji Antimafia, kundrejt të cilit pati një rol jashtëzakonisht plotësues, zgjeroi gamën e veprave penale për të cilat Policia e Shtetit detyrohej të kryente hetime pasurore, përfshirë këtu vepra penale të rënda të cilat në vetvete nuk gjenerojnë pasuri (siç është për shembull vrasja për gjakmarrje apo vrasja e punonjësit të policisë). Ky faktor, mundësoi krehjen dhe filtrimin cilësor të gjithë kontingjentit kriminal që ka vepruar në Shqipëri këto 30 vitet e fundit, krehje e cila vijon sistematikisht përmes dispozitave të ligjit Antimafia.
OFL-ja ishte një garanci më shumë për Policinë e Shtetit sepse subjekti i dyshuar thirrej dhe i kërkohej deklarimi i pasurisë brenda 48 orëve, për t’iu nënshtruar më tej hetimeve të hollësishme nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme. Risi ishte edhe fakti që barra e provës i takonte vetë subjektit.
Plotësimi i fashikujve është bërë nëpërmjet verifikimeve nga më të ndryshmet për subjektet dhe lidhjet e tyre familjare e miqësore, një verifikim i shtrirë në të gjithë institucionet publike dhe subjektet private ku pasuritë e tyre kishin lënë gjurmë.
Po kështu, specialistët e hetimit të OFL-së ose Drejtorisë Hetimore në Policinë e Shtetit, kanë akses eskluziv në platformën DEEPSEE, e cila i mundëson nxjerrjen e të dhënave nga 32 databaza të ndryshme.