Ditën e sotme zbardhen dëshmitë e vëllait të Iljaz Çalit i cili po lëvizte me makinën luksoze të marrë me qira, nga Rinasi në drejtim të Tiranës, mbrëmjen e 3 prillit 2022.
Pa e ditur se kjo do të ishte xhiroja e tij e fundit dhe nuk do të mund të kthehej më i gjallë në shtëpi.
Kujtojmw se ai u gjet i vrarë me një plumb të vetëm, pak minuta para se akrepat të shënonin mesin e natës.
Ndërsa makina me të cilën udhëtonte u gjet vetëm disa metra larg trupit të tij e anuar në një kënd të rrugës.
Në atë që fillimisht për policinë u duk si një aksident rrugor, por që me kalimin e minutave u kuptua se ishin përballë skenës së një krimi.
Por kush ishte 37-vjeçari Iljaz Çali, që u raportua i vdekur në vendngjarje?
Pse pavarësisht moshës së re ai ishte i rëndësishëm në biznesin fitimprurës të kromit? Dhe a u kthye borxhi që ish-ortakët e tij i kishin, në shkakun e eliminimit të tij?
Cila ishte nata e tij e fundit përpara se të binte pre e plumbave.
Sipas dinamikës së ndërtuar nga emisioni “Në shënjestër” mbrëmjen e tij të fundit në jetë, Iljaz Çali me banim në fshatin ‘Rinas i Ri’, ndodhej në Tiranë, ku thuhet, se fillimisht ai konsumoi një kafe me vëllain e tij.
Menjëherë pas këtij momenti, ai është ngjitur në makinën e tij, ku është drejtuar drejt Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, aty ku mësohet se ka ndaluar dhe ka bërë pazare për shtëpinë e tij në një nga marketet e zonës.
Fill pasi ka blerë ushqimet për familjen, ai është drejtuar për në fshatin ‘Rinas i Ri’ ku banonte, ku edhe u qëllua në pritë, me tre plumba, ku njëri rezultoi fatal për jetën e tij.
Sipas hetuesve ekzekutorët në momentin që konstatuan makinën e Calit filluan ta qëllonin nga pas.
Automjetet besohet se ecën paralelisht mbi 100 metra, derisa ekzekutorët e parakaluan automjetin e viktimës dhe qëlluan në drejtim të tij edhe nga xhami i parë. Vrasësit sipas dinamikës u larguan në drejtim të Rinasit.
Fillimisht policia e pati të vështirë, ta identifikonte viktimën sepse ai njihej edhe me emrin Julian.
Në vendin e ngjarjes, viktima u identifikua nga i vëllai, i cili ndër të tjera filloi t’u rrëfente hetuesve edhe detaje nga jeta e Iljasit.
Medi Çali, vëllai i viktimës: “Vëllai im Iljasi nuk ruhej, as nuk mbante armë”.
Por ndërsa deklaronte këto fjalë përpara grupit hetues, vëllai i Iljaz Çalit, Medi Çali nuk hezitoi të hidhte dyshime të forta te ortakët e vëllait të tij në biznesin e kromit.
Por përse Medi Çali vuri gishtin te ta?!
Cila ishin përplasjet që vëllai i tij kishte me Rrahim Dedjen dhe Ilir Çamin? Cili ishte borxhi marramendës që Rrahim Dedja i kishte Iljaz Çalit?
Medi Çali: “Të vetmin konflikt që Iljazi ka pasur, ka qenë ai me Rrahim Dedjan, të cilit i kishte dhënë galerinë. Përplasjet mes tyre ishin për çështje borxhi. Ndërsa me Ilir Çamin kishin konflikte për kufijtë e galerive”.
Por sa ishte borxhi që Rrahim Dedja i kishte Iljaz Çalit dhe çfarë tha ai në hetuesi në lidhjen e vrasjes së atij që deri dje i kishte dhënë me qira për shfrytëzim galerinë e kromit?
Rrahim Dedja, pronar galerie kromi: “Para 3 vitesh Çali ma ka dhënë për shfrytëzim galerinë në Bulqizë. Pata probleme, por kromin s’e kam lëvizur që aty. Herë pas here unë i kam dhënë Iljazit lekë, sa herë kur ai më kërkonte para. Para një muaji ia ktheva galerinë. Është e vërtetë që i kam ngelur borxh. Do t’ia shlyeja”.
Por ndërsa vëllai i Iljaz Çalit mohon që ky i fundit të ruhej, është e pashpjegueshme përse viktima lëvizte me një makinë të marrë me qira, ashtu sikurse natën e ngjarjes, kur ai ishte në drejtimin e një automjeti ‘Land Rover’ që më pas rezultoi të ishte në pronësi të Hekuran Xhixhës, nga Nikla e Fushë-Krujës.
Automjetin, Xhixha e kishte shitur në një pikë të dhënies së makinave me qira në Rinas.
Ndërkohë që ajo që e rrit edhe më shumë misterin mbi eliminimin e tij është se Iljaz Çali, pas problemeve që kishte me ortakun të cilit i kishte dhënë me qira galerinë e kromit dhe borxheve që ky i fundit i kishte, kish vendosur ta rimerrte galerinë dhe kjo kish ndodhur vetëm disa ditë përpara se ai të gjendej i vrarë.
Rrahim Dedja, pronar i galerisë së kromit: “Unë nuk kam gisht në këtë vrasje. Natën e ngjarjes unë kam qenë në shtëpi, aty ku mësova edhe për krimin e ndodhur”.
Por ndërsa Rrahim Dedja hoqi çdo mundësi implikimi të tij në vrasjen e Iljaz Çalit, të njëjtën gjë bëri edhe Ilir Çami që pranoi njëkohësisht se me viktimën kishin konflikte të ashpra kohët e fundit.
Vitin 2011 dy vëllezërit kanë pasur galeri kromi, por gjatë kësaj kohe kanë pasur problematika dhe janë detyruar që ta japin në përdorim minierën.
Ilir Çami, pronar galerie kromi
“Me Iljas Çalin kam pasur përplasje prej kohësh. Këto konflikte ishin thelluar për shkak të kufirit të galerive. Për këtë problem i jam drejtuar edhe policisë dhe kam kërkuar ndihmën e institucioneve. Nuk kam gisht në vrasjen e tij”. /Në Shënjestër