Ditën e sozme hetuesit kanë arritur të mësojnë se si ish-shefi i hetimit në Policinë e Elbasanit është kërcënuar me jetë, ndërsa fotoja e tij gjendej dhe ishte dërguar te telefoni i Nuredin Dumanit që të eliminohej.
Në vitin 2020, dy ngjarje kriminale brenda një harku kohor të shkurtër tronditën Elbasanin. Vrasja e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runaj çuan në pranga dy persona, Xhuljano Hoxha dhe Ergis Halili, ndërsa si organizator u akuzua Erion Alibej, i cili ndodhej në burg.
Hetimet e zhvilluara nga ish-drejtuesi i sektorit të vrasjeve prangosën tre persona, ndërsa ngjarjet ishin drejt zbardhjes. Pikërisht në këtë moment, mësohet se ka ndodhur dhe kërcënimi me jetë që i është bërë oficerit të policisë.
Burime pranë hetuesve thanë se fillimisht oficerit i është bërë kërcënim verbal në burgun ku mbaheshin të dyshuarit, ndërsa më pas porosia për eliminimin e tij kishte mbërritur në celularin e Nuredin Dumanit.
Ka qenë Henrik Hoxhaj, bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë, i cili ka dhënë detaje mbi ngjarjen dhe porosinë për eliminimin e oficerit, ndërsa Dumani ka konfirmuar gjithçka nëpërmjet fotografisë së tij.
Që prej kërcënimit verbal, i cili do të përkthehej në një tjetër kallëzim ndaj të dyshuarve, oficeri i Policisë u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme, ndërsa ende nuk ka marrë mbrojtje për familjen e tij.