Një tjetër grup prej 4 grash dhe 9 fëmijësh shqiptarë që ende strehoheshin në kampin “Al-Hol” në Siri, do të riatdhesohen në Shqipëri. Të gjithë janë familjarë të luftëtarëve shqiptarë që iu bashkuan grupeve ekstremiste islamike, që luftonin në Siri dhe Irak. Ata janë nxjerrë nga kampi dhe autoritetet siriane i kanë dorëzuar te një përfaqësi e kryesuar nga drejtori i Antiterrorit në policinë shqiptare Alban Dautaj.
Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë sirian Abdulkarim Omar, i cili ka postuar në rrjetet sociale dhe një foto të nënshkrimit të dokumentit të dorëzimit me përfaqësuesit nga Shqipëria.
Ky është grupi i katërt i shqiptarëve që nxirren nga kampi i “Al Hol”-it, duke e çuar në 38 numrin e shqiptarëve të riatdhesuar, ndërsa mendohet se ka ende të tjerë që ndodhen atje. Më 31 korrik të vitit të shkuar, u nxorrën nga kampi 5 gra dhe 14 fëmijë, falë ndërhyrjes së autoriteteve libaneze. Në atë rast, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendhëm Bledi Çuçi shkuan vetë në Bejrut për të pritur gratë dhe fëmijët shqiptarë, me të cilët udhëtuan më pas së bashku drejt Tiranës, një ditë më pas.
Kujtojmë se “Ditën e 27 Maj 2022, 13 shtetas shqiptarë (4 gra dhe 9 fëmijë) të familjeve të organizatës ISIS i janë dorëzuar një delegacioni zyrtar të qeverisë shqiptare, pas nënshkrimit të dokumentit zyrtar të dorëzimit ndërmjet AANES dhe Republikës së Shqipërisë”, ka shkruar një zyrtar i lartë sirian Dr. Abdulkarim Omar. Theksojmë se Al Hol, kampi më i madh me gra dhe fëmijë i Shtetit Islamik në verilindje të Sirisë, drejtohet nga Forcat Demokratike Siriane Kurde (SDF) dhe strehon aktualisht mbi 60 mijë viktima të ideologjisë së ISIS, ku 94 për qind janë gra dhe fëmijë. ISIS ka përfituar prej kohësh nga burgjet dhe kampet e refugjatëve, të cilët mund të shndërrohen në terrene për indoktrinimin dhe krijimin e rrjeteve të reja xhihadiste, ndërsa Al Hol dhe kampe të tjerë nuk përbëjnë ndonjë ndryshim nga të tjerët. Duke e nënvizuar këtë rrezik, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar prej kohësh se ISIS po shndërron Al Hol dhe kampet e tjera të forcave kurde, në një bazë aktive për operacionet e grupit terrorist. Kjo gjë ndodh sepse shumë sirianë brenda kampit mbeten të lidhur me botën e jashtme përmes përdorimit të telefonave,që u japin mundësinë të mbajnë lidhje me anëtarët e tjerë të organizatës. Gjithashtu, këto kampe shërbejnë si një burim ushqimi për grupin terrorist. Dihet se brenda tyre, anëtarët e ISIS përfshihen në falsifikime dokumentesh dhe skema të ndryshme përfitim.