Ditën e sotme Presidenti Ilir Meta ka kërkuar publikisht që nesër të gjithë shqiptarët që banojnë në Serbi, të mbështesin Shaip Kamberin, i cili do të kërkojë të ketë një vend si deputet në Kuvend. Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Meta u kërkon të gjithëve që të gjithë ata që kanë të drejtë vote në Serbi, nesër të mbështesin “Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”.
“Nesër, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e një vendi në Parlamentin e Serbisë. Si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit. Ftoj të gjithë votuesit shqiptarë në këtë qendër votimi, që nesër masivisht t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaip Kamberin dhe “Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”,“-shkruan Meta.
Kujtojmë se politikani shqiptar i Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, kishte arritur të siguronte votat e mjaftueshme për tu rizgjedhur deputet në Parlamentin e Serbisë. Mediat lokale shkruan se nga 650 vota që i mungonin për të kaluar pragun e nevojshëm zgjedhor, Kamberi arriti të mbledhë 686 vota në qendrën e vendvotimit nr. 6 në Bujanoc ku ishin ripërsëtirur zgjedhjet për shkak të parregullësive në raundin e parë.
Në seancën e mbajtur më 9 maj 2022, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve vendosi për kundërshtimin e Koalicionit: Partia Socialiste e Serbisë, Serbia e Bashkuar dhe “Të Gjelbrit e Serbisë” kundër Vendimit të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Komunës së Bujanocit. Komisioni e miratoi këtë ankesë dhe e anuloi vendimin e KKZ-së së Bujanocit, duke caktuar një datë të re për zgjedhje. Si pasojë, Kamberi nuk e mori dot mandatin e fituar.