Ditën e sotme Presidenti, Ilir Meta ka reaguar lidhur me raportin e publikuar nga “MONEYVAL”i Këshillit të Evropës, ku Shqipëria përfshihet në listën gri të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Duke shigjetuar qeverinë Rama, presidenti, Meta u shpreh se ky raport ishte tepër shqetësues dhe vinte si pasojë e koncesioneve, monopoleve të krijuara, korrupsionin dhe praktikat abuzive.
Postimi i Plotë nga presidenti, Ilir Meta:
E konsideroj shumë shqetësues përfshirjen sërish të Shqipërisë në listën gri të Këshillit të Europës, në lidhje me luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, që dëmton rëndë besueshmërinë e investitorëve dhe progresin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Shpreh keqardhjen e thellë për faktin se Shqipëria edhe pse vite më parë e kishte fituar këtë betejë dhe nuk renditej në këtë listë, tanimë sipas raportit të publikuar nga MONEYVAL i KiE-së, është vendosur në monitorim të zgjeruar dhe duhet të raportojë më tej për masat e marra në luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
Korrupsioni, praktikat abuzive, PPP-të dhe monopolet, janë të lidhura ngushtë me fenomenet negative që evidentohen nga raporti i MONEYVAL.
Shpreh bindjen se për sa kohë nuk ndëshkohen këto praktika, Shqipëria nuk do të ketë progres as në luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.